Kryeministri Kurti priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, Abdulhamid Alkhalifa

Prishtinë | 09 Qer 2022 | 16:36 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim drejtorin e përgjithshëm të Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, z.Abdulhamid Alkhalifa.

Në takim u bisedua për reperkusionet ekonomike që po pësojnë vendet dhe popujt si pasojë e agresionit rus në Ukrainë. Kryeministri Kurti theksoi masat e menjëhershme që ka ndërmarrë qeveria për të zbutur pasojat e inflacionit të lartë dhe për të mbrojtur mirëqenien e qytetarëve. Ndërkohë që po punojmë për reformat strukturale afatgjata, të nevojshme për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm, shtoi ai.

Kryeministri u shpreh mirënjohës për angazhimin e përgjithshëm të OFID në Kosovë dhe në veçanti për përkrahjen në promovimin e reformave afatgjata dhe financimin e politikave për zhvillim edhe nëpërmjet një marrëveshjeje që u nënshkrua sot me Ministrinë e Financave, Transfereve dhe Punës.  

Marrëveshja mbështetë prioritetet e Qeverisë për periudhën 2021-2025, që përfshijnë transparencën fiskale, mbështetjen e sektorit privat, si dhe tranzicionin energjetik. Marrëveshja me OPEC vjen si vazhdimësi e reformave të përgatitura me Bankën Botërore për Financimin e Politikave Zhvillimore për Financat Publike dhe Rritjen e Qëndrueshme.

Drejtori Alkhalifa vlerësoi partneritetin me Qeverinë e Kosovës dhe theksoi se programi synon të mbështesë rimëkëmbjen pas pandemisë, zhvillimin e sektorit privat, si dhe promovimin e tranzicionit në një ekonomi të gjelbër e në përputhje me objektivat e zhvillimit afatgjatë të Kosovës.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ndihmësi i drejtorit të përgjithshëm të OFID, Fuad Albassam dhe Fatma Elzahra Elshati, menaxhere e operacioneve të sektorit publik në OFID.

Të ngjashme