Kryeministri Kurti priti në takim përfaqësuesit e Zyrave për Komunitete nëpër komuna të Kosovës

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur takim me përfaqësuesit e Zyrave për Komunitete nëpër komuna të Kosovës, për t’i dëgjuar problemet, sfidat, mundësitë për bashkëpunim, por edhe arritjet e tyre kryesore.

Në takimin ku e pranishme ishte edhe Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi, si dhe këshilltarja politike për Çështjet e Komuniteteve znj. Elizabeth Gowing, kryeministri Kurti para të pranishmëve ndau disa iniciativa që tha se shpresojmë që do të afirmojnë edhe më shumë punën e institucioneve me komunitetet e Kosovës: 100 praktikantë nga komunitetet, grante, shpërndarje të 1.5 milion eurove, buletini për tryezat e rrumbullakëta.

Duke theksuar rëndësinë e këtyre zyrave, kreu i Qeverisë i siguroi të gjithë se është kryeministër i Republikës së Kosovës, kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim dhe se nuk bën asnjë diskriminim sipas përkatësisë etnike, fetare, gjinore apo të moshës.

Më tej, kryeministri Kurti i falënderoi për mbështetjen e deritanishme, për kontributin dhe angazhimin që kanë dhënë nëpër komunat e tyre, meqenëse siç u shpreh ai, njeriu nuk është vetëm qytetar i shtetit, por është njëkohësisht edhe banor i komunës dhe jeta e jetesa varen shpeshherë  më shumë prej komunës sesa prej shtetit.

Këshilltarja Elizabeth Gowing tregoi për mundësinë e përfitimit të granteve nga Zyra për Çështje të Komuniteteve. Me theks të veçantë foli për transparencën e dhënies së granteve, por edhe për monitorimin, për ç’ gjë kërkohet edhe ndihma nga Zyrat për Komunitete nëpër komuna të Republikës së Kosovës.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Rëndësia e këtyre zyrave për neve është tejet e madhe. Ne e kemi organizuar këtë mbledhje në mënyrë që t’ju dëgjojmë juve për situatën nëpër komuna, për mundësitë që i kemi për bashkëpunim dhe shpresojmë që ju do të ndani me neve dhe arritjet kryesore të juaja, por edhe sfidat që ju po i identifikoni.

Gjithashtu dëshiroj me nda me juve edhe disa iniciativa që ne shpresojmë që do të afirmojnë edhe më shumë punën e institucioneve me komunitetet e Kosovës. Bëhet fjalë, pra për 100 praktikantët pastaj për grante, shpërndarje 1.5 milion euro, për buletinin për tryezat e rrumbullakëta. Më lejoni të ju siguroj se unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës që do të thotë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim.

Nuk do të bëj asnjë diskriminim sipas përkatësisë etnike, fetare, gjinore apo të moshës. Për t’ju siguruar për këtë jam bashkë me Zëvendëskryeministren znj. Emilija Redžepi e cila vjen nga komuniteti boshnjak dhe e cila në portofolin e saj ka pikërisht çështjen e të drejtave të njeriut edhe të pakicave. Ne e dimë që mund të flasim gjuhë të ndryshme, mirëpo jemi të gjithë njerëz dhe me faktin që jemi njerëz ne kemi të drejta dhe këto të drejta nuk bën të shkelen, këto të drejta duhet të respektohen dhe kushtetuta e ligji duhet të jenë në mbrojtje të tyre.

Unë ju falënderoj për mbështetjen e deritanishme, për kontributin dhe angazhimin që keni dhënë nëpër komunat e juaja meqenëse njeriu nuk është vetëm qytetar i shtetit, por është njëkohësisht edhe banor i komunës dhe jeta e jetesa varen shpeshherë më shumë prej komunës se sa prej shtetit, andaj edhe jam i interesuar të dëgjoj më shumë prej juve edhe për të arriturat, por edhe sfidat dhe problemet të cilat i keni e të cilat jam i bindur që do t’i tejkalojmë bashkërisht.

Ju falemnderit shumë.

Të ngjashme