Kryeministri Kurti shkon për në Iowa, përmend se do ta vizitojë Washingtonin

Prishtinë | 13 Maj 2022 | 19:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përgjatë vizitave të tij në SHBA, ka bërë të ditur se prej qëndrimit në Dallas, ai do të shkojë për në Iowa.

Kurti një gjë të tillë e ka bërë të ditur me anë të një videomesazhi, duke thënë se vizita për në Iowa është e veçantë, për shkak të bashkëpunimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës me Gardën Nacionale.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe pretendimet e tij për ngritje ekonomike, duke thënë se kanë shtuar mjetet financiare në fushën e sigurisë dhe bujqësisë.

“Jam këtu në aeroplan në Dallas, duke u nisur për në Iowa. Në Teksas kemi pasur takime shumë të rëndësishme me komunitetin amerikan dhe shqiptaro-amerikan, por në të njëjtën kohë edhe me ata që janë në fushën e agrikulturës, sepse në Republikën e Kosovës për këtë vit e kemi rritur buxhetin, e posaçërisht për mbrojtje e siguri dhe për bujqësi”, deklaroi ai.

Sipas deklaratave të kreut te ekzekutivit, Washingtoni do të jetë shteti i fundit i SHBA-së që ai do ta vizitojë. Kurti nuk bëri me dije nëse ka caktuar vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Të ngjashme