Kryeministri Kurti takoi Senatoren Joni Ernst

Prishtinë | 18 Maj 2022 | 16:24 | Nga Ekonomia Online

Në ditën e parë të vizitës në Washington DC, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u prit në takim nga Senatorja Joni Ernst.

Duke shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme në të gjitha fushat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri falënderoi senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen e Gardës Kombëtare të Iowas për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kryeministri theksoi se mbështetja e tillë është bërë edhe më e domosdoshme pas invazionit ilegal të Rusisë dhe aleancës ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë. 

Në takim u bisedua për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe fushat zhvillimore.

Kryeministri Kurti e njoftoi për fillimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e theksuar të buxhetit për mbrojtje, rritjen e mbështetjes për bujqësi, rritjen e pensioneve për 11% dhe pensioneve për persona me aftësi të kufizuara për 33%, arsimimin publik falas përfshirë nivelin universitar. Ai theksoi indikatorët pozitivë ekonomik që po sjellë stabiliteti institucional në vendin tonë, përfshirë rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore për 31%, rritjen e të hyrave tatimore për 34.3%. 

Në përmbyllje të takimit, senatorja Ernst shprehu vlerësimin e saj për kryeministrin Kurti dhe tha që dera e saj është gjithmonë e hapur për të.

Të ngjashme