Kryeministri Kurti uron Ditën e Flamurit të komunitetit ashkali

Prishtinë | 15 Shk 2022 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Në shënim të Ditës së Flamurit të komunitetit ashkali, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, uroi shumë suksese dhe të arritura në të ardhmen, për komunitetin ashkali, dhe i falënderoi për kontributin e dhënë.

I shoqëruar nga zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Redžepi dhe këshilltarja e tij, Elizabeth Gowing, kryeministri Kurti mori pjesë në shënimin e kësaj dite dhe shprehu mbështetjen për komunitetin ashkali.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës dëshirojmë t’i ndihmojmë ata të cilët i kanë nevojat më të mëdha, më së pari e më së shumti”, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se shteti duhet të dëshmohet aty ku janë nevojat më urgjente dhe aty ku ka pasur diskriminim, ku ka pasur shtypje, ku ka pasur margjinalizim e përjashtim.

Kryeministri theksoi se qeverisja aktuale e ka një dimension të fuqishëm social-demokrat, që i jep prioritet luftimit të pabarazisë dhe zhvillimit ekonomik të përqendruar në punësim.

Duhet që të drejtat të mos jenë vetëm nominale e formale, të jenë në fjalë goje e të shkruara në letër, por të jenë edhe aktuale e përmbajtësore, e kjo lidhet shumë me zhvillimin socio-ekonomik, shtoi ai.

Ai i njoftoi që së shpejti do të organizohet një tryezë e veçantë, në të cilën do të diskutohen problemet dhe çka do të mund të ndryshohet, edhe sa i përket infrastrukturës ligjore, po edhe sa i përket projekteve konkrete.

Kreu i Qeverisë e falënderoi komunitetin ashkali për kontributin që e kanë dhënë për shoqërinë në përgjithësi, për aktivizmin për komunitetin dhe gjithashtu edhe për Republikën e Kosovës si shtet i përbashkët i të gjithëve pa dallim etnie e nacionaliteti, pa dallim religjioni e gjinie.

Në këtë takim të organizuar nga grupi rinor United Toward Art, morën pjesë anëtarët e organizatave joqeveritare dhe iniciativave të tjera, si: Young Community Leaders, Voice of Roma, Ashkali dhe Egyptian, The Ideas Partnership, Sapunë, Drejtësi për Kujtimin, Balkan Sunflowers, Roma Versitas, si dhe aktivistë nga komuniteti ashkali.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme