Kryeministri Kurti vizitoi prodhuesin vendas të mineraleve dhe materialeve ndërtimore

Prishtinë | 04 Nën 2021 | 15:29 | Nga Ekonomia Online

Pas konferencës me bizneset e Prishtinës, në kuadër të “Ditëve të Biznesit Kosovar” dhe dialogut me biznesin privat, të organizuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, vizituan prodhuesin vendor të mineraleve dhe materialeve ndërtimore “Pofix”, në Lipjan.

Pronarët e biznesit i njoftuan ata se kanë të punësuar 75 punëtorë, paga mesatare e të cilëve sillet rreth 550 euro neto. Ata theksuan se përkundër vështirësive nuk e kanë zvogëluar numrin e punëtorëve gjatë pandemisë.


“Pofix” prodhon 600 tonë llaçe dhe ngjitës në ditë, afër 40 për qind për eksport, sidomos në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, por edhe në Gjermani e Zvicër.


Shtrenjtimi i lëndës së parë që e importojnë dhe mungesa e certifikatave CAM dhe ETA u diskutuan si çështje sfiduese në punë.


Procesi i automatizuar teknologjik është garanci e sasisë dhe cilësisë së prodhimit me standarde evropiane.

“Pofix” ofron lloje të shumta të produkteve minerale si materiale për përdorim të jashtëm dhe të brendshëm: llaçe themelore, llaçe dekorative, llaçe për rrafshim, ngjitës për ndërtimtari etj.

Të ngjashme