Kryeministri nuk i tregon faturat e pushimeve në Saint Moritz

Prishtinë | 05 Jan 2018 | 18:28 | Nga
Pas deklarimit të kryeministrit Ramush Haradinaj se kostoja e pushimeve të tij në Saint Moritz ka kushtuar vetëm shtatë mijë euro, Insajderi ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit dëshmi për pushimet e Haradinajt me familje. Mirëpo, gazeta nuk ka marrë përgjigje nga Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit. Ata kanë preferuar të heshtin dhe të mos i bëjnë publike dëshmitë.

Kryeministri i Kosovës u arsyetua për pushimin luksoz të tij dhe familjes së tij në një nga qendrat turistike më të shtrenjta në botë. Ramush Haradinaj deklaroi të enjten se pushimin në hotelin “Carlton” në Saint Moritz e ka paguar me të holla të veta.

Haradinaj tha se pushimi një javor i tij dhe familjes së tij në alpet e Zvicrës, i ka kushtuar atij shtatë mijë euro. Por, çmimet e hotelit “Carlton” në Saint Moritz nuk përkojnë me deklaratën e kryeministrit Haradinaj.

Dhoma më e lirë në këtë hotel për një natë është nga 1 mijë e 300 franga. Çmimet arrijnë deri në pesë mijë franga për një natë. Në festat e fundvitit cmimet e dhomave në hotelin “Carlton” shënojnë rritje tjetër.

Haradinaj, së bashku me bashkëshorten Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij, Dautit, pushoi në hotelin “Carlton” në Saint Moritz në Zvicër.

Insajderi ka raportuar të mërkurën se kryeministri Haradinaj është vendosur në suitën e quajtur “Czar” prej 160 metrash katror. Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suite ka qenë fiks 40 mijë e 600 franga për shtatë ditë.

Aty, familja Haradinaj ka pushuar në këtë hotel nga 25 dhjetori 2017 deri më 2 janar 2018.

 Insajderi kishte pyetur Zyrën e kryeministrit se sa kanë kushtuar këto shpenzime në hotel “Carlton” dhe se kush i ka mbuluar. Përgjigja e tyre ka qenë se meqë pushimet nuk kanë pasur karakter shtetëror, por privat nuk mund të përgjigjen.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës nuk ka qenë me agjende shtetërore, por private dhe familjare. Institucioni nuk bartë asnjë kosto materiale”, thuhej në përgjigjen e shkurtër të Zyrës për komunikim publik të kryeministrit.

Pas deklarimit të kryeministrit Haradinaj se kostoja e pushimeve të tij në Saint Moritz ka kushtuar vetëm shtatë mijë euro, Insajderi ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit dëshmi për pushimet luksoze të Ramush Haradinajt me familje.

Insajderi ka kërkuar përmes e-mailit nga Zyra e Kryeministrit publikimin e faturave të udhëtimit në Zvicër dhe akomodimit në hotelin “Carlton” – njërin nga hotelet më të shtrenjta në botë.

Mirëpo, gazeta nuk ka marrë përgjigje nga Zyra për Komunikim Publik e kryeministrit. Ata kanë preferuar të heshtin dhe të mos publikojnë dëshmitë e pushimit të Haradinajt.

Qendra e skijimit në Saint Moritz është një nga më të shtrenjtat në botë. Hoteli “Carlton” i ndërtuar në stilin rus në alpet zvicerane përballë një liqeni, është në mesin e pesë hoteleve më të mira dhe më të shtrenjta në këtë qendër.

Saint Moritz është fshat turistik në juglindje të Zvicrës, pjesë e Kantonit të Grisonsit. Ky fshat shtrihet në vargmalet Albula, me një lartësi prej 1 mijë e 800 metrave mbi nivelin e detit. Saint Moritz ka një popullsi prej rreth 5 mijë banorësh.

Fshati njihet si qendër e turizmit dimëror në Zvicër. Në Saint Moritz janë zhvilluar dy herë Lojërat Olimpike dimërore: në vitet 1928 dhe 1948.

Ndërkaq, hoteli “Carlton” është ndërtuar më 1913. Ka 60 suita me pamje nga liqeni. Lidhur me hotelin ekziston edhe një legjendë. Thuhet se është ndërtuar për të shërbyer si rezidencë e Carit të Rusisë, Nikolasit të Dytë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme