Kryeministri urdhëron vendosjen e flamurit shtetëror “Te Rrethi”

Prishtinë | 13 Shk 2018 | 18:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka urdhëruar vendosjen e flamurit shtetëror në vendin e quajtur “Te Rrethi”, në Prishtinë.

“Sot kam dhënë detyrë që flamuri shtetëror të vendoset ‘Te Rrethi’. Është 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës dhe flamuri duhet të jetë aty”, tha shefi i Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

“Nuk ka shqiptar që nuk nderon flamurin shqiptar”, shtoi Haradinaj, gjatë mbledhjes së 29-të të Qeverisë.

“17 shkurti është data më e madhe e Kosovës, dhe ajo do të nderohet në mënyrën më dinjitoze” ka thënë kryeministri Haradinaj dhe ka kërkuar nga të gjithë që të përmbahen nga debatet emocionale por vëmendja t’i adresohet shënimit me dinjitet të përvjetorit jubilarë të shpalljes së pavarësisë.

Vendimi i kryeministrit vjen pas debateve të ngritura ditëve të fundit nëse flamuri shtetëror duhet të vendoset aty ku aktualisht ndodhet flamuri kombëtar, në hyrje të kryeqytetit.

Madje, sot ishte paralajmëruar nga një grup qytetarësh se flamuri i Kosovës do të vendoset sot “Te Rrethi” pranë atij kombëtar, i cili tash e sa kohë është vendosur nga një ish-zyrtar i Komunës së Prishtinës, e cila udhëhiqet nga Vetëvendosje.

Ndërkohë, së paku një zyrtar i kësaj partie ka bërë thirrje që të dilet sot e të pengohet vendosja e “flamurit të Ahtisaarit”, sikur e ka quajtur ai.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, nga i cili nëpër rrjete sociale është kërkuar vendosja e flamurit shtetëror me rastin e festimeve të përvjetorit të Pavarësisë, ka thënë se kjo është përgjegjësi e Qeverisë.

Para kabinetit qeveritar, Haradinaj ka njoftuar se nesër Kosovën e viziton kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Të ngjashme