Kryeparlamentari Konjufca: Hapja totale ka qenë gabim, përgjegjësinë kryesore e ka qeveria

Prishtinë | 17 Sht 2021 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se përgjegjësia kryesore për rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve nga Covid 19 është e qeverisë dhe e profesionistëve shëndetësorë.

“Ka përgjegjësi qysh s’ka. E ka përgjegjësinë kryesore. Përgjegjësia kryesore pse janë kaq të infektuar dhe pse është numri kaq i lartë i të vdekurve e ka qeveria së bashku me të gjitha institucionet shëndetësore.”, deklaroi Konjufca në Rubikon të Klan Kosovës.

Konjufca potencoi se kur qeverisë Kurti iu duk që e fitoi luftën ndaj pandemisë, u shfaq varianti Delta, të cilit qeveria nuk i kushtoi vëmendjen e duhur për marrjen e masave me kohë.

“Gabimi ka qenë këtu, hapja totale. Këtu ka qenë gabimi. Qeveria e ka vendosë.”, tha ai.

Sipas Konjufcës, në përkeqësimin e gjendjes ka ndikuar edhe vetëdija e një pjese të popullatës që ka hezituar të vaksinohet, por në parim qytetarët kanë më së paku faj në këtë situatë.

Tutje, Konjufca tha se nëse do ishte dikush tjetër ministër në vendin e tij, gjatë kohës që në Kosovë u shfaq variant Delta atëherë do ishte gjendja edhe më e rëndë.

“Unë mendoj që ministri Vitia duhet me thënë shyqyr që qëlloj ministër gjatë kohës së covidit, sepse me variantin delta unë nuk di ku kish përfundu Kosova me ndonjë qeveri të dobët, ku qytetarët nuk do të dëgjoheshin’’, përfundoi Konjufca.

Kujtojmë se në Kosovë gjendja vazhdon të jetë e rënduar, me qindra raste pozitive që shënohen çdo ditë, dhe dhjetëra viktima.

Të ngjashme