Kryeredaktori i “Kohës Ditore”, Agron Bajrami, propozohet për ambasador në Bruksel

Prishtinë | 28 Tet 2021 | 11:32 | Nga Ekonomia Online

Gazetari Agron Bajrami është propozuar për ambasador të Republikës së Kosovës në Bruksel.

Pas karrierës disavjeçare si kryeredaktor në gazetën “Koha Ditore”, Bajrami tani mund të nisë një tjetër karrierë si diplomat në kryeqytetin e Bashkimit Evropian, që njihet si qendër e administratës për Evropën.

Sapo është kontaktuar nga Gazeta Express, Bajrami i ka paraprirë pyetjes, duke thënë që gazeta t’ia drejtojë pyetjet Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Nga MPJD-ja ende nuk kanë kthyer përgjigje për të konfirmuar se Bajrami është i propozuari për ambasador të Kosovës në Belgjikë.

Në maj, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte miratuar një propozim të Qeverisë së Kosovës për lirim nga detyra të ambasadorëve të emëruar politikë. Kosova për disa muaj ka mbetur pa ambasadorë në shumë shtete.

Nga institucionet thuhej se procedurat ligjore për emërimin e ambasadorëve të rinj do të merrnin kohë.

Sipas procedurës, pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, që bëhet në koordinim me kryeministrin, emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës. Ky komision më pas duhet t’i dërgoë emrat në Presidencë, ku presidentja i dekreton.

Në fund, shteti pranues duhet ta japë pëlqimin për ambasadorin e ri. Kjo procedurë mund të marrë disa muaj kohë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme