Kryesia e Kuvendit vendos për mbajtjen e seancës plenare më 22 shkurt

Prishtinë | 14 Shk 2022 | 16:03 | Nga Ekonomia Online

Kryesia e Kuvendit mbajti sot mbledhjen e radhës, në drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca dhe me prezencë të kryetarëve të grupeve parlamentare.

Përmes një kumtese për media nga Kuvendi i Kosovës, bëhet e ditur se kryesia vendosi që me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të enjten, më 17 shkurt 2022, në orën 11:00, Kuvendi të mbajë seancë solemne.

Seanca e rregullt plenare ndërkaq, do të mbahet të martën më 22 shkurt 2022, në orën 10:00.

Në këtë seancë, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi pritet të shqyrtojë Projektligjin nr.08/L-106 për ratifikimin e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Projektligjin nr.08/L-118 për ratifikimin e Marrëveshjes për Statusin e Forcave në mes të Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Kuvajtit, si dhe Projektligjin nr.08/L-119 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi në kontekstin e Aderimit në Bashkimin Evropian.

Në rend të ditës së kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projekt-Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në shqyrtim të parë pritet të shqyrtohen gjithashtu edhe 18 projektligje: Projektligji nr.08/L-113 për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore, Projektligji nr.08/L-110 për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, Projektligji nr.08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-058 dhe Ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 03/L-256, Projektligji nr.08/L-114 për Regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, Projektligji nr.08/L-103 për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, Projektligji nr.08/L-104 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr.03/L-040 për vetëqeverisjen lokale, Projektligji nr.08/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-021 për akcizën në produktet e duhanit, Projektligji nr.08/L-074 për Turizmin, Projektligji nr.08/L-075 për markat tregtare, Projektligji nr.08/L-076 për Mbrojtjen e sekreteve tregtare, Projektligji nr.08/L-108 për Deklarimin prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, Projektligji nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Projektligji nr.08/L-112 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L-026 për tokën bujqësore, Projektligji nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-197 për kimikate, Projektligji nr.08/L-120 për Ushqim, si dhe Projektligji nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.

Në këtë seancë do të shqyrtohet edhe raporti me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 05/L-025 për Shëndetin Mendor, të bëhet emërimi i Kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit të NP KOSTT, si dhe zëvendësimi i disa anëtarëve në komisione parlamentare.

Kryesia, në mbledhjen e sotme, procedoi për mendim në qeveri Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë, si dhe vendosi që Programi Legjislativ i Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2022 t’u shpërndahet deputetëve dhe komisioneve parlamentare.

Të ngjashme