Kryesia merr vendim, seanca për votimin e Qeverisë nesër në ora 16

Prishtinë | 08 Sht 2017 | 15:31 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Seanca për votimin e Qeverisë së re do të mbahet nesër prej orës 16. Këtë vendim e ka marrë kryesia e re e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

Mbledhja është mbajtur pas kërkesës se koalicionit PAN-AKR për thirrjen e seancës se jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë se re të Kosovës.

Në këtë mbledhje, kanë marrë pjesë edhe nënkryetarët nga koalicioni PAN-AKR Xhavit Haliti, nga VV Aida Dërguti, nga LDK Kujtim Shala dhe nga Lista Serbe Sllavko Simiq.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë, tha Qeveria e re ka shumë punë.

“Kosova do ta vazhdoj orientimin e vet dhe ka nevojë për një shtytje të madhe që do të ndodhë domosdoshmërisë. Orientimi është i qartë drejt BE-së. Do të punohet me agjendën ekonomike drejt reformë”.

Ramush Haradinaj është mandatar për të parin e Qeverisë të enjten nga presidenti Hashim Thaçi.

Zgjedhja e Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit i ka hapur rrugë votimit të Qeverisë.

Por ende nuk është vendosur se kush do të jenë të gjithë ministrat e rijnë që do të jenë pjesë e kabinetit të Haradinajt.

PDK nuk ka vendosur përfundimisht se kush do të jenë ministrat me të cilët do të përfaqësoj në këtë qeveri, raporton Ekonomia Online.

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, ka deklaruar se sot gjatë ditës kryetari Kadri Veseli do të japë propozimet dhe pastaj do të vendosë Kryesia e partisë, raporton EO.

Sipas marrëveshjes, PDK-ja do ta ketë njl post zëvendëskryeministri dhe do t’i drejtojë këto ministri: Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Integrimeve, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e re për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Ndërkohë, AAK-ja mbrëmë ka vendosur që në krye të Ministrisë së Infrastrukturës të jetë Pal Lekaj, ndërsa në atë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Edhe AKR-ja, tashmë i ka përcaktuar emrat. Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme do të jetë Behgjet Pacolli, ministër i Zhvillimit Ekonomik do të jetë Valdrin Lluka, Ministrinë e Punëve të Brendshme do ta udhëheqë Abdylselami Shkodra, ndërsa ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do jetë Rejhane Vuniqi.

Partia e Fatmir Limajt në qeverinë Haradinaj do t’i ketë tri ministri: Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë, Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Poashtu, ky subjekt do ta ketë edhe një post të zv/kryeministrit. Por as kjo parti nuk ka dal me emrat konkretë.

Edhe Lista Serbe ka vendosur për emrat e ministrave. Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal do të jetë Ivan Teodosijeviq, i cili ka udhëhequr këtë ministri që nga mandati i kaluar.

Ministri për Kthim dhe Komunitete do të vazhdojë të jetë Dalibor Jevtiq, i cili në tri mandate ka drejtuar këtë ministri, ndërsa ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural do të jetë Nenad Rikalo, që aktualisht është anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, raporton EO.

Të ngjashme