Kryetari i Kuvendit kërkon t’i zvogëlohet paga

Prishtinë | 22 Jan 2019 | 17:20 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka kërkuar që t’i zvogëlohet paga nga koeficienti 11 në nëntë.

Sipas koeficientit 11, Veseli merr pagë prej 2 mijë e 629 euro ndërsa në koeficientin nëntë, ai pritet të ketë pagë prej 2 mijë e 151 euro, që i bie 478 euro më pak.

Ai i ka dërguar një letër Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale përmes së cilës i kërkon që në kuadër të shqyrtimit të Ligjit për Paga, koeficienti i pagës së kryetarit të Kuvendit të zbresë në 9.

Sipas Veselit, kjo kërkesë e tij është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformës së përgjithshme të administratës publike, nivelizimit të pagave dhe akomodimit të përmbushjes së kërkesave të sektorëve të ndryshëm, në mënyrë që të ruhet stabiliteti buxhetor.

“Kërkesa ime besoj se është në përputhje edhe me gjendjen reale socio-ekonomike të vendit”, thuhet me tej në letrën e kryetarit të Kuvendit.

Zvogëlimi i pagës së kryetarit të Kuvendit nënkupton edhe zvogëlimin e pagës së deputetëve, pasi çdo zvogëlim i koeficientit ka efekt zinxhiror.

Të ngjashme