Kryetari i LDK-së, Abdixhiku përkujton Ismet Rracin

Prishtinë | 24 Pri 2021 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e përkujton veprimtarin Ismet Rraci, në 20 vjetorin e vrasjes së tij

“20 vite më parë, dora vrastare e shoi jetën e njeriut i cili nuk u ndal asnjëherë në përpjekjen për lirinë e pavarësinë e vendit të tij. Nga ajo ditë, Klina dhe e tërë Kosova humbi veprimtarin, intelektualin dhe atdhetarin e respektuar, njëherësh thelemuesin e Degës së LDK-së në Klinë, Ismet Rracin. 

Ismet Rraci, një intelektual i rrallë, ishte besnik dhe guximtar, veprimtar i devotshëm i cili në kohëra të vështira dha shumë për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. 

Me natyrën e tij prej atdhetari të çmuar, u bë zë i kërkesës së qytetarëve të Klinës për një të ardhme më të ndritur të popullit dhe vendit të tij.  

Ai u vra, tinëzisht pasi shënoi fitore në Klinë dhe u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën LDK-së, Klinës dhe as Kosovës. 

Ismet Rraci, përherë do të kujtohet nga Lidhja Demokratike dhe nga të gjithë qytetarët e Kosovës në vecanti të Klinës, për guximin intelektual e qytetar, trimërinë, kontributin dhe atdhedashurinë e pafund. 

Veprat e atdhetarit Ismet Rraci mbeten shëmbëlltyrë për të gjitha gjeneratat, se si duhet punuar për atdheun. 

Lavdi jetës dhe veprës së Ismet Rracit.” 

Të ngjashme