Kryetari i LDK-së Qeverisë: Ktheni paratë qytetarëve; shkarkojeni Bordin e ZRRE-së; mbani përgjegjësi!”

Prishtinë | 21 Maj 2022 | 12:06 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se që nga sot, faturat e rrymës qytetarëve do të u llogaritën pa shtrenjtim, por shtoi se nga shkurti e deri më sot, “qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%”.

“Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Ai paralëjmroi se nga e hëna, “LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim”.

“Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë. Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë. Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!”

Të ngjashme