Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi jep dorëheqje nga AAK-ja

Prishtinë | 23 Mar 2021 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësitë brenda strukturës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Gashi njoftoi se kjo dorëheqje erdhi si rrjedhoë e zhvillimeve në strukturat e kësaj partie në Obiliq, pas dorëheqjes se nëntë asambleistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës, forumit rinor.

Postimi i plotë në Facebook:

Të nderuar bashkëpunëtorë, kolegë, familjarë e miq,

Të nderuar bashkëqytetarë,

Po bëhen më shumë se 15 vite prej kur jam aktiv në jetën publike dhe në shërbim të qytetarëve të Kosovës, ndërsa që nga viti 2013 një ekip i tërë profesionistësh nisëm rrugëtimin politikë për qeverisje në nivel lokal, për këto shtatë vite e gjysmë bashkarisht kemi dëshmuar përkushtim dhe angazhim të sinqertë në realizimin e projekteve të shumta që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në ndryshimin e mirëqenies së qytetarëve të Obiliqit. Me vëmendje të plotë kam përcjellur të gjitha zhvillimet e fundit politike, veçmas zhvillimet që po ndodhin brenda strukturës së Aleancës në Obiliq, andaj si rrjedhojë e këtyre situatave ndjej obligim moral por edhe njërezor të ju njoftoj se kam marrë këtë vendim:

-Jap dorëheqje të parevokueshme nga kryetari i degës së AAK-së në Obiliq dhe nga të gjitha funksionet dhe përgjegjësit e mija brenda strukturës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror, ndërsa do të vazhdojë angazhimin tim si kryetar i komunës së Obiliqit.

Kjo dorëheqje vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq, pas dorëheqjes se nëntë asambleistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës, forumit rinor dhe nga 21 nëndegë, 20 prej tyre ju kanë bashkuar kësaj dorëheqjeje dhe shumë aktivistë me të cilët rrugëtuam së bashku. Mos-realizimit të premtimeve të nivelit qendror për zbatimin e tërësishëm të Ligjit për Obiliqin e në veçanti në aspektin e çështjes së punësimit të qytetarëve të Obiliqit,një kërkesë kjo e kahmotshme e banorëve si dhe duke patur për bazë që edhe nevojat e KEK-ut janë të domosdoshme, pavarësisht angazhimit tim të pandalshëm që kjo çështje të realizohet asnjëherë nuk është krijuar një zgjidhje për këtë problem, si dhe, si rezultat i kërkesës së vazhdueshme të qytetarëve të Obiliqit që angazhimin tim politikë ta vazhdojë si kryetar i pavarur. Pra, gjithmonë para çdo lloj interesi apo bindjeje në plan të parë kam qytetarin e Obiliqit, andaj për mua besimi i qytetarit është vlerë e shenjtë e cila po dëshmohet përmes vullnetit të përbashkët për të ndërtuar qytetin e Obiliqit.

Përgjatë këtyre shtatë vite e gjysëm, kemi jetësuar projekte madhore:

– Obiliqin e bëmë me ligj, i cili e trajton si zonë të veçantë duke krijuar mundësi të reja në realizimin e projekteve të shumta në secilin sektor.

-Ofruam transparencë për të gjithë qytetarët e Obiliqit, pa dallim bindjeje apo ideje, race apo etnie, rritjen e efikasitetit të shërbimeve të qytetarëve duke ndërtuar objektin e ri të komunës, objektin e zyrës së gjendjes civile dhe objektin e arkives.

-Ndërtuam urën në fshatin Plemetin duke zgjidhur probleme të shumta të asaj zone, kompletuam me asfaltim dhe infrastrukturë përcjellëse shumë rrugë e segmente, duke kompletuar kushtet themelore për jetesë,

-Obiliqi ka mbi 6000 poça ndriçues, si qytet i dritave po ofron siguri për të gjithë qytetarët në fshatra, lagje apo në qytet. Në zonën e qytetit kemi bërë shtrirjen e kamerave të sigurisë, projekt ky i cili do realizohet edhe në zonat rurale.

-Në shëndetësi, ofruam shërbime shëndetësore sa më cilësore dhe sa më të afërta për qytetarët tanë, ndërtuam QMF-në në fshatin Milloshevë, AMF-në në fshatin Breznicë si dhe bëmë renovimin e objekteve ekzistuese shëndetësore. Për të menaxhuar situatën me Covid-19, objektin ndihmës të QKMF-së e shëndrruam në ambulantën antiCovid-19, ku qytetarët po marrin trajtimin e duhur për luftimin e këtij virusi. Në fushën e mirëqenies, ndërtuam Shtëpinë për të Moshuar, bëmë renovimin e banesave sociale dhe dhënien e tyre për banim familjeve me asistencë sociale dhe veteranëve të UÇK-së, ndërtuam shtëpi për familjet në nevojë përmes bashkëpunimit me donatorët e shumtë.

-Me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim, ofrimin e kushteve të përshtatshme për mësimdhënie dhe mësimnxënie, ndërtuam shkolla dhe anekse te reja shkollore; shkolla në fshatin Lajthishtë, shkolla në fshatin Raskovë, shkolla në Haden e Re, aneksi shkollor në fshatin Breznicë, aneksi shkollor në fshatin Mazgit i ulët dhe i Epërm.

-Për zhvillimin e orës mësimore është e domosdoshme që mësimi teorik të realizohet edhe në aspektin praktik, kështu që bëmë furnizimin e kabineteve shkollore me mjete pune të shkencave të natyrës dhe informatikës.

-Duke u bazuar në thënien “Mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë”, krijuam kushte të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve fizike për nxënësit, ndërtuam sallën sportive për Gjimnazin “17 Shkurti” dhe SHMLP “Ismail Dumoshi”, sallën sportive në SHFMU “Hasan Prishtina” në Milloshevë, jemi në realizim të sallës sportive për nxënësit e shkollës SHFMU “Pandeli Sotiri” në Obiliqin e vjetër.

-Me kërkesë nga ana e studentëve dhe nxënësëve, kemi filluar ndërtimin e Bibliotekës së Qytetit, e cila do ofrojë mundësi për zhvillimin e studimeve dhe mësimit për brezat tonë të rinjë që në të ardhmën e afërt përmes dijes së tyre të kontribojnë në ndërtimin e qytetit.

-Jemi komunë “kampione” për saj përket fushës së subvencionimit në arsim, kulturë, rini, sport, shëndetësi dhe bujqësi, kësisoj:

-Në fushën e arsimit, nga 13 bursa për studentë sa ishin, në mandatin e parë të qeverisjes shpërndamë 50 bursa, ndërsa vetëm gjatë dy viteve të fundit bëmë shpërndarjen e mbi 1000 bursave dhe kartelave për kompenzimin e shpenzimeve të udhëtimit për nxënësit dhe studentët e komunës sonë. Jemi komuna e parë e cila bëjmë subvencionimin e studimeve post-diplomike.

-Në fushën e kulturës, rinisë e sportit përmes thirrjes publike për subvencionim kemi përkrahur klubet sportive dhe ato kulturore, sepse i gjithë përkushtimi ynë është i fokusuar në fuqizimin dhe avancimin e të rinjëve dhe të rejave të talentuar dhe shumë energjik të Obiliqit.

-Në fushën e shëndetësisë, përveç subvencionimit të rasteve të rënda shëndetësore, që nga viti i kaluar kemi filluar subvencionimin e grave lehona me nga 150€, gjithashtu që nga viti 2014 subvencionojmë ceremonitë mortore të vdekjes. Po ashtu, kemi realizuar grant-skemën për subvencionimin e “Nënave vetushqyese dhe grave në biznes”, me vlerë prej 50 mijë €, duke qenë komuna e parë që realizojmë një skemë të tillë. Kemi filluar subvencionimin e qytetarëve të prekur me Covid-19 me nga 100€, ndërsa për qytetarët që humbin betejën me këtë virus, familjarët e tyre do të subvencionohen me nga 300€, kjo do të realizohet deri në përmbyllje të kësaj pandemie.

-Në fushën e bujqësisë, vetëm gjatë vitit të fundit kemi ndarë mbi 520 mijë euro për të subvencionuar dhe për t’i dalë në ndihmë bujqve dhe fermerëve të komunës së Obiliqit.

-Për sportdashësit kemi funksionalizuar Palestrën Sportive “Adem Jashari” dhe kemi ndërtuar shumë fusha të hapura sportive, ndërsa për adhuruesit e kulturës e artit kemi ndërtuar Shtëpinë e Kulturës që bart emrin e heroit “Xhavit Haziri”.

-Në fushën e trashëgimisë kulturore bëmë restaurimin e mullinjeve të “Behramajve” dhe “Hysenajve” në fshatin Graboc, duke ndikuar në rritjen e turizmit në atë zonë.

-Në fushën e mjedisit, kemi krijuar hapësira të reja gjelbëruese kësisoj për qytetarët tanë si në qytet ashtu edhe nëpër fshatra ndërtuam parqe të reja, me hapësira të përshtatshme për të gjitha grupmoshat.

-Jemi në finalizim të sheshit të qytetit “Dëshmoret e Kombit” si dhe realizimit të sheshit “Adem Preniqi” në hapësirat e të cilit dikur ishin objekte të demoluara dhe të vjetëruara, ne, bëmë rrënimin e tyre për të hapur mundësi që Obiliqi të ketë pamjen e një qyteti modern dhe gradualisht të shëndrrohet në një qytet të gjelbërt.

-Edhe në hapësirën e ish-restaurantit të KEK-ut, një ambient me objekte të demoluara, e shëndrruam në park të gjelbërt.

-Realizuam pastrimin dhe zgjerimin e shtratit të lumenjëve dhe përockave, duke ndikuar që gjatë periudhës së vërshimeve të mos shkaktohen dëme të mëdha qoftë në infrastrukturë apo ekonomitë familjare.

-Bëmë zhbllokimin e zonës industriale në fshatin Llazarevë, në këtë zonë tashmë do krijohet parku i bizneseve duke ndikuar kështu në fuqizimin ekonomik të Obiliqit dhe ndryshimin e mirëqenies sociale për qytetarët në rritjen e vendeve të punës.

-Kemi filluar ndërtimin e objekti të ngrohjes qendrore, në kuadër të realizimit të projektit të koogjenerimit për qytetarët e Obiliqit.

-Obiliqi tashmë ka Ndërmarrjen Publike Lokale, e cila do bëjë mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese, parqeve e shesheve publike, objekteve kulturore e sportive, në të njejtën kohë do krijojë mundësi në hapjen e vendeve të reja të punës për qytetarët.

Më lejoni të theksoj se përkundër sfidave të shumta, ne arritëm të realizojmë synimet tona të përbashkëta dhe asnjëherë në asnjë kohë nuk hoqëm dorë nga ajo që ishte e drejtë dhe më e domosdoshme për qytetarët e Obiliqit, normalisht në koordinimit të mirëfilltë me institucionet e nivelit qendror, pra Obiliqi është rikthyer në një realitet të ri , në një qytet që dita e ditës po merr pamje të re e moderne.

Për fund, me respekt të përjetshëm përulem dhe nderoj veprën e gjithë heronjëve që nuk janë në mesin tonë, më të cilët qysh në moshën e re fillova shërbimin ndaj atdheut tim, ndërsa sot falënderoj familjen time, të gjithë bashkëpunëtorët, kolegët, aktivistët që përkrahën aktivitetin politikë, falënderoj ekzekutivin dhe zyrtarët komunal të cilët me punën e tyre të palodhur mundësuan realizimin e gjithë këtyre projekteve, falënderoj asamblen komunale për unitetin e treguar në përkrahjen e projekteve madhore, falënderoj shoqërinë civile, një bashkëpunim i tillë në funksion të shërbimit të qytetarëve do të vazhdojë edhe më tutje. I falënderohem secilit qytetarë të Obiliqit veç e veç për mbështetjen dhe kontributin e tyre në kauzën tonë të përbashkët për Obiliqin si dhe i siguroj se sikur deri më tani bashkëpunimi ynë do të vazhdojë, ashtu siç e kemi thënë “projektet bashkë do t’i zgjedhim, bashkë do t’i mbikëqyrim dhe së bashku do t’i gëzojmë!”

Po ashtu, shfrytëzoj rastin të falënderoj për bashkëpunim të gjithë udhëheqësit e partive politike, një bashkëpunim i tillë në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve do të vazhdojë edhe në të ardhmen më të gjitha partitë politike dhe me të gjithë udhëheqësit e institucioneve qendrore dhe lokale. Është obligim i ynë i përbashkët që të punojmë për ndryshimin dhe fuqizimin e mirëqenies së qytetarëve, andaj zotohem para qytetarëve të Obiliqit se angazhimi im dhe i gjithë ekzekutivit do të jetë i pandalshëm në realizimin e synimeve dhe qëllimeve të mira për të gjithë qytetarët në bashkëpunim më të gjitha partitë politike pa dallim dhe me të gjithë udhëheqësit e institucioneve qendrore! Po ashtu, njoftoj qytetarët se vazhdimi i rrugëtimit politikë nuk do të jetë në ndonjë parti tjetër politike, do të vazhdojë si kryetar i pavarur dhe rreth çdo organizimi të ri në vijën e politikës do të njoftohen në kohë reale!

Ju faleminderit! Na priftë e mbara! Vazhdojmë pandalshëm! Vetëm me punë të mira, për qytetarët, për Obiliqin!

Xhafer Gashi

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme