Kryetari i ri i Mitrovicës, Hamza i PDK-së lë të hapur mundësinë e kandidimit

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 10:58 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet lokale priten të mbahen në vjeshtë dhe për këtë partitë politike në vazhdimësi janë duke i shpallë kandidaturat për kryetar komunash. Partia Demokratike e Kosovës deri më tani ka shpall disa nga kandidatura për kryetar në disa komuna të Kosovës, si në Prizren, Fushë Kosovë, Ferizaj, Skenderaj, etj, por jo edhe për qytetin e Mitrovicës. 

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Mitrovicë, Bedri Hamza në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ende nuk ka asgjë zyrtare se kush pritet të jetë kandidat për kryetar komune nga kjo parti, mirëpo nuk e përjashton mundësinë që të jetë njëri nga kandidatët.

Hamza tha se në bazë të rregullores së PDK-së, struktura e degës duhet të vendos për kandidatin e mundshëm për kryetar të komunës dhe kjo më pas duhet të miratohet në organet qendrore të saj.

Sipas tij, në degë të PDK-së, në Mitrovicë ka shumë emra që mund të jenë kandidat.

Mirëpo, sipas Hamzës një prej opsioneve për kandidat është edhe emri i tij, si kryetar i degës së PDK-së, në Mitrovicë.

“PDK është duke i zyrtarizuar kandidaturat për kryetar të komunave, deri tash janë zyrtarizuar disa kandidatura, e normalisht që kur te vjen radha edhe Mitrovica do ta ketë kandidatin e vet zyrtar.

Proceduralisht kjo shkon përmes strukturave të degës, d.m.th është rregull dhe e përshkruar me statusin dhe rregulloren e brendshme të partisë që kandidaturat shkojnë përmes organeve të degës dhe më pas organet qendrore të partisë vendosin. Ka më shumë emra që mund të jenë kandidat potencial të Mitrovicës, nuk jam prej atyre që  vet shpallem kandidat për kryetar por një prej opsioneve është edhe emri jem si kryetar i degës së PDK-së, në Mitrovicë”, ka thënë Hamza.

Ndryshe, ditë më parë kryetari i aktual i kësaj komune, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje kishte thënë se nuk e përjashton mundësinë që të rishpall kandidaturën e tretë për kryetar të qytetit.

Të ngjashme