Kryeziu kritikon VV: Po bëni lojëra për ta kontrabanduar Ligjin për Zgjedhjet, tendencë e një qeverisje autoritare

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 18:10 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i KDI-së, Ismet Kryeziu ka drejtuar akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje pasi u bë e ditur do të diskutohet lidhur me nismën legjislative për ndryshimin e projektligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka thënë se lojërat për të kontrabanduar ndryshime të ligjit zgjedhor me këtë urgjencë, është tendencë e një qeverisjeje autoritare.

“Loja për të kontrabanduar ndryshime të ligjit zgjedhor, me ketë urgjencë, në këto momente edhe pas asnjë diskutim e imput gjithëpërfshirës, është tendencë e një qeverisje autoritare. Tendencë e cila shkelë parimin ‘’sundimi i shumicës duke garantuar të drejtat e pakicës’’.

Nisje jo e mirë e kësaj shumice për të përdor numrat si instrument të arrogancës dhe disiplinimit të pakicës”, thuhet në postimin e tij.

Njëri nga premtimet kryesore të dyshes fituese të zgjedhjeve të 14 shkurtit ishte ai për ndryshimin e ligjit për zgjedhje.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kishin thënë se posa të merrnin pushtetin, do të siguroheshin që të bëheshin ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.

E një gjë e tillë pritet të ndodhë sot gjatë ditës, e madje para seancës që pritet të thirret për votimin e Vjosa Osmanit presidente.

Të ngjashme