Kthehen në Kuvend deputetët e VV-së, pas lirimit nga gjykata

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 20:06 | Nga

Janë kthyer në sallën e Kuvendit të Kosovës deputetët e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, të cilët hodhën gaz lotsjellës në seancën e së mërkurës, kur pas pesë përpjekjesh u ratifikua Marrëveshja e Demarkacionit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, sot, e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër deputetëve të Vetëvendosjes.

Shtatë deputetë, me vendim të Kryesisë, u përjashtuan nga seanca e 21 marsit për shkak se penguan rrjedhën normale të seancës. Ata u larguan me forcë nga policia.

Deputetët që u arrestuan të mërkurën për hedhje të gazit sot janë kthyer në seancë derisa po zhvilloheshin punimet.

Ata u pritën me duartrokitje nga kolegët e tyre të Vetëvendosjes.

Mbi pandehurit Drita Millaku, Xhelal Sveçla, Salih Zyba, Fitore Pacolli dhe Valon Ramadani rëndon dyshimi i bazuar se kanë kryer veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa kundër të pandehurit Liburn Aliu për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Kosovës dhe kundër të pandehurës Arbërie Nagavci për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Por, gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk ka qenë e nevojshme caktimi i masës së paraburgimit duke qenë se përveç kushtit të përgjithshëm se ekziston dyshimi i bazuar se tani të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat është kërkuar caktimi i masës se paraburgimit, nuk përmbushen asnjëra nga kushtet konkrete qoftë veç e veç qoftë të gjitha së bashku për caktimin e ndonjërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.

Kjo për faktin se nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë në bazë të cilës do mund të konkludohet se ekziston rreziku i arratisjes së pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale pasi që të njëjtit i kanë premtuar Gjykatës se do të përgjigjen në të gjitha ftesat që do t’ju dërgohen nga kjo Gjykatë dhe po ashtu nuk ekziston as rreziku i përsëritjes se këtyre veprimeve nga ana e të pandehurve të përfshirë në këtë çështje penale.

Të ngjashme