Kthimi i nxënësve në shkolla, VV thërret ministrin e Arsimit në interpelancë

Prishtinë | 10 Gus 2020 | 16:57 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje njofton se do të kërkojë seancë, ku do të thirret ministri i Arsimit, Ramë Likaj. Arsyeja e interpelancës, siç tregon VV’ja, do të jetë kthimi i fëmijëve në shkollë.

Sipas VV’së, edhe pse viti i ri shkollor nis pas tri javëve, Ministria e Arsimit nuk ka bërë planin për kthimin e fëmijëve në shkolla, që akoma nuk dihet si do të bëhet për shkak të pandemisë.

“Përkundër se vetëm edhe tri javë na ndajnë nga kur do të fillojë viti shkollor dhe akademik, kjo ministri nuk ka ndërmarrë thuajse asgjë për fillimin e vitit shkollor. Jemi tashmë shumë vonë me planifikim për fillimin e vitit shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor, përfshirjen e të gjithë nxënësve në proces, si dhe mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor në situatën në të cilën ndodhet vendi me COVID-19”, thuhet në shkrimin e VV’së.

Shkrimi i plotë:


Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! inicoi interpelancë për ministrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me fillimin e vitit shkollor

Sot, Grupi Parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! ka dorëzuar kërkesën për interpelancë ndaj ministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në lidhje me gjendjen në sistemin e arsimit, planet dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Përkundër se vetëm edhe tri javë na ndajnë nga kur do të fillojë viti shkollor dhe akademik, kjo ministri nuk ka ndërmarrë thuajse asgjë për fillimin e vitit shkollor. Jemi tashmë shumë vonë me planifikim për fillimin e vitit shkollor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka paraqitur ndonjë plan dhe strategji për të garantuar realizimin e procesit mësimor, përfshirjen e të gjithë nxënësve në proces, si dhe mënyrën e zhvillimit të procesit mësimor në situatën në të cilën ndodhet vendi me COVID-19.

Gjatë gjithë pushimit veror, Qeveria nuk është parë të ketë bërë përgatitje për një proces arsimor në rrethana emergjente. Sfidat e ndryshme të organizimit të procesit online të arsimimit do të duhej të trajtoheshin për t’u shmangur me fillimin e vitit të ri shkollor. Nga adaptimi psiko-social i nxënësve me mënyrën online të vijimit të mësimit, trajnimi i mësimdhënësve për mësimdhënie nga distanca, mënyra e dorëzimit të detyrave, leximit dhe angazhimit të nxënësve, zbatimi i mundësisë së shkollimit nga shtëpia, por edhe monitorimi dhe vlerësimi i këtij procesi.

Të ngjashme