Kumrije Sahiti, 40 vjet kontribut në arsim – synon Kuvendin përmes LDK-së

Prishtinë | 18 Sht 2019 | 15:50 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

40 vjet kontribuoi në arsimin kosovar. Edukoi dhe mësoi shumë gjenerata. Por dëshira për të dhënë kontribut edhe në aspektin politik,  ka bërë që Kumrije Sahiti t’i hyjë garës për deputete në Kuvendin e Kosovës, përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në një prononcim për EkonomiaOnline, Sahiti thotë se është e lumtur që tashmë përveç kontributit brenda shkollës, do të ketë mundësi të japë kontribut edhe në Kuvendin e Kosovës.

Bagazhi intelektual dhe profesional, ka bërë që ajo të ndjehet e sigurt dhe e denjë për postin që synon.

Megjithatë, thotë se gjendja jo e mirë në arsim dhe mundësia për të bërë edhe më shumë për vendin, e kanë shtyrë t’i hyjë kësaj “aventure”.

“Tërë jetën pothuajse kam dhënë kontribut në arsim dhe jam lind e jam rritë në një familje të arsimuar, mendoj që çdo ditë e më shumë arsimi po vjen duke rënë edhe niveli i cilësisë. Unë punoj pothuajse 40 vjet, duke filluar nga para lufta. Në vitet e 90-ta jam mëse e bindur se cilësia e arsimit ka qenë shumë më e mirë edhe pse kushtet kanë qenë jashtëzakonisht të vështira. E din të gjithë ata që e kanë përjetuar dhe kanë punuar se çfarë kushte dhe çfarë gjendje, por cilësia e arsimit ka qenë shumë më e mirë se tash. Tani në këtë shekull, duke parë rënien e nivelit të arsimit, e sidomos 10 vitet e fundit, është tmerr gjendja në arsim”, thotë ajo.

Ajo thotë se përvoja që ka nga menaxhimi i disa shkollave në kryeqytet ia lejon të bëjë një konstatim të tillë mbi gjendjen në arsim.

“E them këtë me përgjegjësi të plotë sepse kam punuar në Gjimnaz, në ‘Faik Konicë’, tani jam në shkollën ‘Asim Vokshi’, por nuk shoh ndonjë rezultat që vërtet duhet të krenohemi me atë. Në vitet e 90-ta të gjitha delegacionet që vinin dhe na shihnin në atë gjendje dhe me krenari e mbronim arsimin, vërtet ka qenë për t’u krenuar. Tani edhe ata na vëzhgojnë me një sy shumë shqetësues se ku jemi dhe çfarë jemi duke bërë vetëm dhe vetëm për interesa partiake, politike”, thotë ajo.

Drejtoresha Kumrije Sahiti, thotë se kësaj sfide nuk i ka hyrë për interesa personale, por vetëm për një qëllim. E ai është ngritja e cilësisë së arsimit kosovar.

Madje thotë se për të garuar kishte presion nga miqtë, kolegët dhe të afërmit, pasi që besojnë në punën e saj.

“I kam hyrë kësaj gare në politikë, jo me dëshirë, jo me vullnet timin. Por, duke i marr opinionet e ndryshme të cilat më kanë shtyrë duke më thënë se jam e dedikuar për arsim dhe e jetoj jetën me arsim dhe vetëm në këtë fushë mund të jap një kontribut aq sa mundem. Por në politikë detyrimisht më kanë detyruar, duke menduar që mund të jap një kontribut për vendin, për arsimin, për fëmijët tanë”, përfundon ajo.

Por kush është në të vërtetë, Kumrije Sahiti?

Më poshtë mund ta gjeni jetëshkrimin e saj:

Kumrije Kallaba – Sahiti për 40 vite ka kontribuar në arsimin kosovar dhe tanimë i ka hyrë garës për deputete, duke vazhduar të bëjë një gjë të tillë edhe në jetën politikë. Synimi i saj është bashkërendimi i politikave dhe qasja konstruktive në përpilimin e një plani të arsimit, së paku 20-vjeçar, që është i bazuar në praktikat më të suksesshme ndërkombëtare. Znj. Kallaba – Sahiti garon për subjektin politik Lidhja Demokratike e Kosovës, me numrin 57.

Kush është Kumrije Kallaba – Sahiti, kandidatja për deputete, që dyzet vite ia kushtoi arsimit

Përvoja profesionale e znj. Kallaba – Sahiti përfshinë: Profesoreshë e filozofisë dhe sociologjisë; ish-drejtoreshë e Gjimnazit “Sami Frashëri” për shumë vite; ish-drejtoreshë e Shkollës Fillore “Faik Konica” për tetë (8) vite; Drejtoreshë Cilësie në “Akademinë Evolucion” bashellor diplomë për 2 vite; dhe Drejtoreshë në shkollën fillore ”Asim Vokshi”. Sfida e rradhës që Kumrije Kallaba – Sahiti është të garojë për deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Përgjatë dyzet viteve, Znj. Kumrije nuk u ndal duke dhënë kontributin e saj në arsim. Tani ajo dëshiron të jap kontribut edhe në politikë. Kumrije Kallaba – Sahiti, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në zgjedhjet e 6 tetorit do të garojë me numrin 57.

“Gjate gjithë jetës sime i jam dedikuar edukimit dhe arsimit cilësor të fëmijëve të mi, për dyzet (40) vite, në dyzet (40) gjenerata. Jam e lumtur që do kem mundësinë të vazhdoj misionin tim në arsimimin e brezave të rinj të Kosovës sepse jam e bindur që është e vetmja mënyrë që të ecim përpara me kombin tonë. Si një nënë, grua, profesoreshë, madje edhe si një gjyshe e re – do bëjë të pamundurën që me punën time të ngre nivelet e edukimit dhe arsimimit në Kosovë dhe të sjell ndryshime cilësore për popullin tim,veçanërisht të gruas kosovare”, tha ajo.

Synimi i Kumrije Kallaba – Sahitit, si deputete e ardhshme është të jap dijen dhe kontributin e saj në bashkërendimin e politikave dhe qasje konstruktive në përpilimin e një plani të arsimit, së paku 20-vjeçar, i bazuar në praktikat më të suksesshme ndërkombëtare. Plan i cili i mundëson që ndryshimet qeveritare të mos pengojnë vazhdimin e reformave të nevojshme ndërvite.

Ndryshimet rrënjësore në arsim kërkojnë kohë, kuadro profesionale, vullnet politik dhe shoqëror. Kumrije Kallaba – Sahiti, beson se energjia dhe puna e palodhshme që do ta jap si deputete do të paraqes nevojat e shoqërisë dhe do të jetë e pranueshme nga i gjithë spektri politik.

Të ngjashme