Kundërpërgjigjet Mustafa: LDK-ja s’i cakton datat për formimin e Qeverisë, ato i cakton fituesi i zgjedhjeve

Prishtinë | 29 Dhj 2019 | 16:09 | Nga Ekonomia Online

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është kundërpërgjigjur Albin Kurtit, se është në dorën e LDK-së caktimi i datës për formimin e Qeverisë.

Përmes një statusi në Facebook, Mustafa thotë se LDK-ja “nuk cakton data porse ato i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë”.

Po ashtu, Lideri i LDK’së ka thënë se Vetëvendosje nuk e ka konsultuar fare LDK’në kur e ka propozuar Glauk Konjufcën për Kryeparlamentar.

Sidoqoftë, Kurti, sot pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, tha se është në dorën e LDK-së se kur do të vendoset data e krijimit të Qeverisë së Kosovës. Madje, tha se Presidenti s’mund të caktojë mandatarin pa e dërguar VV propozimin dhe pa marrëveshje me LDK-në.

Postimi i plotë i tij

Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të çertifikuara nga KQZ.

Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjeter, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë.

LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por kemi ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend.

LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë.

Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit.

Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje.

Caktimi i mandatarit, marrja e manatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje. IM

Të ngjashme