Kundërshtohen negociatat me harta

Prishtinë | 07 Maj 2020 | 08:24 | Nga Ekonomia Online

Ka nxitur zemërim në Prishtinë qëndrimi i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili, një ditë më parë, nuk e ka përjashtuar opsionin e ndryshimit të kufijve të Kosovës nëse për një gjë të tillë do të merrej vesh me Serbinë.

Analistët ia kanë numëruar pasojat një marrëveshjeje të këtillë, ndërkaq Qeveria dhe parti si AAK-ja kanë alarmuar se negociatat me harta mund ta trazojnë rajonin.

Për opsionin e “korrigjimit të kufijve”, i cili është parë si eufemizëm për shkëmbim joproporcional territoresh, ka avokuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq. Ata ishin mbështetur në heshtje edhe nga pararendësja e Borrellit, Federica Mogherini.

Opsioni pati ngjallur reagime në Kosovë, e për pasojë Qeveria e mandatit të shkuar ka theksuar se atë e ndali, kur e pati vënë tarifën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, pas së cilës masë Beogradi zyrtar ishte tërhequr nga dialogu.

Besnik Vasolli, njohës i politikave të BE-së, i ka thënë gazetës se shkëmbimi i territoreve, ndryshimi i kufijve apo demarkacioni mes Kosovës dhe Serbisë është opsion që nuk është zhdukur asnjëherë dhe si i tillë do të jetë prezent gjatë gjithë kohës.

“Në Kosovë, për fat të keq nuk janë diskutuar mjaftueshëm opsionet e mundshme për të arritur një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç nuk është diskutuar mjaftueshëm sa e rëndësishme është një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Vasolli.

“Ne kemi hyrë me bajraktarizëm në këto negociata. Secili lider politik ka pasur opinionin e vet, por asnjëherë nuk jemi ulur të diskutojmë rëndësinë që ka për të ardhmen e Kosovës dhe rajonit një marrëveshje e tillë”.

Por është dikush që nuk iu frikësohet shumë deklaratave të Borrellit.

Jeta Krasniqi nga KDI-ja thotë se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila përmban në të edhe çështje që kanë të bëjnë me ndërrim të kufijve, të territoreve, siç është paketuar nën termin ‘korrigjim të kufijve’, nuk e ka mbështetjen e Gjermanisë.

Sipas saj, kjo kishte ndikuar drejtpërdrejt në ndaljen e procesit të dialogut kur ishte më se e qartë që pavarësisht se të dy presidentët e kishin konsideruar këtë zgjidhje nën ndërmjetësimin e Mogherinit, procesi u stopua nga Gjermania nga njëra anë dhe nga ana tjetër edhe nga mungesa e mbështetjes së brendshme politike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme