Konjufca: Lufta jonë ishte e drejtë, asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë

Prishtinë | 17 Shk 2022 | 15:19 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, në fjalën e tij të rastit pasi uroi të gjithë të pranishmit dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, theksoi se duke kujtuar 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, raporton Ekonomia Online

“Para së gjithash i nderojmë dëshmorët e luftës për liri, duke u përkulur me pietet të thellë para sakrificës së tyre dhe luftës së shenjtë e të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Çdonjëri nga ne më 17 shkurt kaplohemi nga një gjendje e veçantë shpirtërore e cila e mishëron krenarinë me entuziazëm.

Krenaria na vjen si sublimim i rrugës së gjatë e të mundimshme të popullit tonë për liri, kurse entuziazmi si vetëdije për arritjet e deritashme dhe si optimizmin për të ardhmen.

Sot duke e kujtuar 14-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, para së gjithash i nderojmë dëshmorët e luftës për liri që nuk kursyen as jetën për mëvetësinë e shtetit tonë”, tha Konjufca.

Tutje ai shtojë se asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë a ta ndryshojë të vërtetën lidhur me Pavarësinë e vendit.

“Përkulemi me pietet të thellë para sakrificës së tyre dhe luftës së shenjtë e të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lufta jonë ishte e drejtë dhe e domosdoshme. Ajo ishte e drejtuar kundër okupatorit, për ndaljen e gjenocidit dhe për lirinë tonë të përbashkët.

Asnjë gjykatë në botë nuk mund ta shtrembërojë a ta ndryshojë këtë të vërtetë që është e vërteta e jetës tonë.

Le t’i nderojmë po ashtu ato gra e ata burra, të cilët me mençurinë e guximin e tyre na drejtuan e na orientuan që udhëkryqet e rrezikshme të historisë t’i kapërcejmë pa përplasje të brendshme e fatale.

Më 1981 u bëmë bashkë për të protestuar. Më 1989 u bëmë bashkë për të rezistuar. Më 1998 u bëmë bashkë për t’u çliruar. Dhe më 2008 u bëmë bashkë për t’u mëvetësuar. Vetëm kështu iu kemi bërë ballë furtunave të stuhishme të kohës”, vazhdoj Konjufca.

Të ngjashme