Kur do të takohen Kurti me Vuçiqin? Kryediplomatja gjermane flet nga Beogradi

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në një konferencë të përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se Berlini zyrtar, pas zgjedhjeve në Serbi, do të përpiqet të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse në dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo ka theksuar se në këtë proces nevojitet një progres më i dukshëm, derisa shtoi se Gjermania do të jetë më e pranishme në të ardhmen në Ballkanin Perëndimor.

“Gjermania dëshiron të kontribuojë në takimin mes qeverive të Beogradit dhe Prishtinës pas zgjedhjeve dhe të ndërmarrë hapa konkret që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, deklaroi Baerbock nga Beogradi..

Ndërkaq, Vuçiq ka thënë se kur bëhet fjalë për Kosovën, Serbia ka qëndrime ndryshe nga Gjermania, ndonëse tha se u pajtuan me ministren gjermane se dialogu është ai që zgjidh problemet mes dy vendeve.

“Beogradi është i përkushtuar ndaj dialogut dhe ne gjithmonë jo vetëm që jemi përgjigjur, por më duket se po kontribuojmë në progresin e atij procesi në mënyrën më të mirë dhe më konstruktive”, citohet nga RTS-ja të ketë thënë Vuçiq.

Por, kryediplomatja gjermane i bëri me dije Vuçiqit se anëtarësimi në BE nënkupton gatishmëri që Serbia t’i harmonizojë qëndrimet me unionin evropian.

Të ngjashme