Kurti: 20 vjet më parë Millosheviqi ra si personalitet politik, por nuk u braktis si politikë e Serbisë

Prishtinë | 05 Tet 2020 | 22:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar rënien e Sllobodan Millosheviqit nga pushteti në Serbi dy dekada më parë, me kujtime nga burgu u Pozharevcit.

Ai ka thënë se 20 vjet më parë, më 5 tetor Millosheviq ra nga pushteti, por që Serbia prej atëherë nuk e “ka parë 6 tetorin”.

“Ra Milosheviqi si personalitet politik, por ai nuk u braktis si politikë e Serbisë. Përkundrazi, dy vjet e gjysmë më vonë u vra kryeministri Zoran Gjingjiq, ndërsa sot Serbia udhëhiqet nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Milosheviqit: Maja Gojkoviq e cila ishte zv.kryeministre në kohën e tij sot është Kryetare e Kuvendit të Serbisë; Ivica Daçiq, i cili ishte zëdhënësi i partisë së tij sot është Ministër i Punëve të Jashtme; ndërsa sekretari i atëhershëm i Partisë Radikale të Sheshelit, partnere kjo e koalicionit me Milosheviqin, si dhe ministri i informatave në qeverinë e asaj kohe, Aleksandar Vuçiq, sot është President i Serbisë”, është shprehur Kurti.

“20 vjet më vonë, sot në Serbinë ‘demokratike’ ka shumë më pak opozitë sesa kurdoherë në dekadën e diktaturës së Milosheviqit. Ata që merren me Vulinin që të mos merren me Vuçiqin, teksa fajësojnë vetëm Slobodanin, bëjnë edhe dëm përveçqë e kanë gabim”.

Të ngjashme