Kurti akuzon këshilltarin e Veselit se përvetësoi subvencionet e fermerëve

Prishtinë | 23 Pri 2019 | 22:40 | Nga Ekonomia Online

Lideri i VV-së, Albin Kurti, ka hedhur sot kritika të ashpra në drejtim të Blerand Stavilevcit, këshilltarit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit.

Kurti, në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë, ka thënë se Blerand Stavileci është duke përfituar grante të dyshimta nga shteti.

“Këta vjedhin edhe te subvencionet e fermerëve, siç e dimë. Vjedhin me letra e pa to. Hartojnë gjoja “masa të posaçme” sa për ta krijuar një vegëz që paratë të dalin nga buxheti i shtetit e të kenë mundësi të sajojnë lista me njerëzit e tyre të afërt. Vetëm për këtë masën e veçantë, praktikisht u vodhën 3 milionë euro nga buxheti. Ky buxhet ishte buxhet i bujqësisë dedikuar fermerëve tanë. Këto 3 milionë euro i morën tre përfitues. Tre emra aksionarësh rezultojnë të jenë përfitues në dy grante. E midis tyre Këshilltari i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci, e krahas tij dhe kompania Otvic, e mikut të Kryeministrit dhe shefit të Rikallos, famëkeqit Radojçiq”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se qindra lajmërime e kallëzime janë bërë nga fermerët e ndershëm për raste të ngjashme.

“Edhe në polici edhe në prokurori. Për sera e për gjoja fermerë që e zhvatin buxhetin e bujqësisë. E këta e kanë aty një Kapllan e një Ekrem, që ua kryen punët e pista. Vetëm gjatë vitit 2018, 60 veturat e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar nga Rikallo i kishin bërë 1.5 milionë km udhëtim. Me kilometrat e kaluara gjatë vitit 2018, veturat e Ministrisë së Bujqësisë do të mundë t’i silleshin planetit Tokë 37 herë. Por as për 1/3 e atyre shpenzimeve, nuk kanë pasur mbulesë më fatura. E qysh mund të ketë mbulesë me fatura për një shumë aq të madhe. Merreni me mend sikur ky karburant t’i shkonte për punim të tokës fermerëve tanë!”.

Të ngjashme