Kurti: Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës, sepse e dinë se po u vjen fundi

Prishtinë | 06 Dhj 2022 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar në mbrëmje lidhur me shpërthimet dhe të shtënat me armë që kanë ndodhur gjatë ditës në veri të Kosovës.

Në orët e mbrëmjes, një bomë ështl hedhur edhe në zyrat e Komisionit Komunal Zgjedhor. Serbët në veri nuk kanë lejuar sot që zyrtarët komunalë të zgjedhjeve të kryejnë detyrën e tyre lidhur me zgjedhjet lokale që do të mbahen me 18 dhjetor.

Por, Kurti e ka një shpjegim të vetin pse po ndodhin incidentet në këtë kohë.

Sipas tij, bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës, sepse e dinë se po ju vjen fundi.

Lurti lë të kuptohet se “fundi” bandave po u vjen nga qeveria e tij, derisa ka aluduar se pushtet e kaluara kanë bërë lëshime. “Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato”.

POSTIMI I PLOTË:

Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.

Të ngjashme