Kurti bashkëbisedon me mësimdhënësit: Arsimi është shtylla bazë për zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Në ambientet e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, ku po i zhvillon trajnimet Instituti Veror Teach for Kosova, Kryeministri, Albin Kurti, mori pjesë në një bashkëbisedim me mësimdhënësit pjesëmarrës dhe organizatorët.

Gjatë diskutimit ai foli për rëndësinë e madhe që ka arsimi, duke thënë se është shtylla bazë mbi të cilën zhvillohen të gjitha fushat e tjera të shtetit dhe shoqërisë dhe se Qeveria po punon që me një qasje shumëdimensionale ta forcojë arsimin në vend.

“Kosova ka 335,270 nxënës dhe 23,173 mësimdhënës, që do të thotë se për çdo katërmbëdhjetë nxënës ka një mësimdhënës”, bëhet e ditur nga kumtesa për media e zyrës së kryeministrit.

Duke iu drejtuar mësimdhënësve pjesëmarrës në bashkëbisedim, Kurti u tha se duhet të vazhdojnë e të mos ndalen në ofrimin e modeleve të shëndosha për komunitetet e dijes dhe se “ju dhe mësimdhënësit e rinj si ju, jeni shembulli më i mirë se si një gjë e tillë mund të arrihet”.

Ai foli edhe për objektivin e Qeverisë për të bërë ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës sipas modeleve të mirënjohura evropiane, dhe për synimin e saj për të kthyer vëmendjen e punës kah dija dhe arsimi, kah hulumtimi e inovacioni, kultura e sporti.

Të ngjashme