Kurti bashkëbisedon me nxënës në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve

Prishtinë | 01 Qer 2022 | 19:12 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e 1 Qershorit – Ditës ndërkombëtare të Fëmijëve, Komiteti ndërministror për të drejtat e fëmijëve, që kryesohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur një takim dhe ka bashkëbiseduar me nxënës të shkollave nga komuna të ndryshme të Kosovës,

Në takim u prezantua edhe Raporti për Zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i përgatitur nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit.

Kryeministri Kurti teksa i uroi fëmijët për ditën e tyre, tha se pavarësisht nga prioritetet tona të përditshme nuk bën ta largojmë asnjëherë vëmendjen nga ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve.

Ne si Qeveri qëndrojmë pas planeve dhe zotimeve tona për të ndërtuar sisteme dhe për të ofruar shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët, e veçanërisht ata që kanë nevojë më shumë, tha kryeministri Kurti.

Duke qenë se zbatimi i të drejtave të fëmijëve fatkeqësisht shpeshherë lidhet me mundësitë financiare, kryeministri Kurti shprehu mirënjohje për mbështetjen nga partnerët ndërkombëtarë dhe për projektet që po realizohen nga fondet e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit në Bashkimin Evropian, mes tyre edhe projekti 10 milionësh për mbështetjen e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.

Kryeministri foli edhe për angazhimin dhe masat që ka ndërmarrë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, për të rritur cilësinë e arsimit: hartimin e Projektligjit për fëmijërinë e hershme dhe Projektligjit për tekstet e materialet mësimore, punësimin e 100 asistentëve të rinj për fëmijët me aftësi të kufizuar, ndarjen e 500 bursave për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë prej 150 mijë euro etj.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur fëmijë,

Të nderuar ministra të Arsimit, Kulturës dhe të Shëndetësisë, znj.Nagavci, z.Çeku dhe z.Latifi,

E nderuara znj. Nona Zicherman, shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve,

Të nderuar të pranishëm,

E kemi ftuar këtë takim të Komitetit ndërministror për të drejtat e fëmijëve, në një ditë të veçantë për fëmijët, por edhe për të gjithë neve.

Pavarësisht nga prioritetet tona të përditshme, të çdo dite tjetër, pra jo vetëm sot, nuk bën ta largojmë vëmendjen nga ëndrrat dhe dëshirat e fëmijëve.

Punët e vendimet tona si institucione dhe si shoqëri përveçse për të sotmen janë edhe trashëgimi për të ardhmen. Prandaj jam veçanërisht i lumtur sot që në këtë tryezë, krahas të rriturve kemi përfaqësim edhe nga fëmijët, sidomos nga fëmijët, qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët.

Çdo fëmijë ka të drejtë për ushqim, edukim, shëndet, shtëpi e mjedis të sigurt, por atyre u duhet edhe më shumë se kaq. Loja e gëzimi i fëmijëve janë mirëqenie gjithashtu. Prandaj ne jemi të përkushtuar që t’u ofrojmë siguri, mirëqenie edhe garantim të të drejtave.

Ne si Qeveri qëndrojmë pas planeve dhe zotimeve tona për të ndërtuar sisteme dhe për të ofruar shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët, e veçanërisht ata që kanë nevojë më shumë.

Të drejtat dhe mirëqenia e fëmijëve kanë ndryshuar shumë përgjatë viteve, dekadave e shekujve. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të tyre është obligim i vazhdueshëm i secilës shoqëri demokratike. Disa të drejta shumë të rëndësishme janë avancuar me Projekt Kodin Civil të Kosovës, që do të ridërgohet në Kuvendin e Republikës.

Aty përfshihet heqja e të drejtës për martesë të fëmijëve 16 – 18 vjeç, përcaktimi i moshës 6 vjeç si e drejtë për t´u dëgjuar nga Gjykata, rregullat e reja të adoptimit si dhe parimin e mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijës. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë ka hartuar edhe udhëzimin administrativ “Për Drejtësinë Mike ndaj Fëmijës”.

Zbatimi i të drejtave të fëmijëve fatkeqësisht shpeshherë lidhet me mundësitë financiare. Jemi mirënjohës për mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Janë 10 projekte që po realizohen nga fondet e Instrumenteve të Para-Anëtarësimit në Bashkimin Evropian apo IPA fonde siç quhen ndryshe. Mes tyre edhe projekti 10 milionësh për mbështetjen e zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme.

Nëpërmjet tij do të ndërtohen çerdhe të reja, do të bëhet adaptimi i hapësirave ekzistuese dhe përmirësimi i kushteve dhe mjeteve mësimore.

Për të rritur cilësinë e arsimit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, është në proces të finalizimit të Projektligjeve për Fëmijërinë e Hershme dhe për Tekstet e Materialet Mësimore. Sivjet është mundësuar punësimi i 100 asistentëve të rinj për fëmijët me aftësi të kufizuar, ndërsa në vitet në vijim pritet të punësohen edhe 300 të tjerë.

Janë ndarë 500 bursa për nxënësit e shkollave të mesme të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, në vlerë prej 150 mijë euro; 9825 nxënës kanë përfituar nga projektet për rritjen e cilësisë së arsimit te komunitetet pakicë.

Nga fondet IPA po ashtu jemi duke zbatuar projektin e ofrimit të shërbimeve gjithëpërfshirëse psikosociale, të strehimit dhe të rehabilitimit për të gjithë fëmijët që kanë nevojë; pastaj projektin kundër abuzimit të fëmijëve; përparimi i standardeve dhe programeve për vullnetarizmin.

Policia e Kosovës është përqendruar pikërisht tek moshat e hershme në synimin e saj për parandalimin e krimeve, edhe nëpërmjet trajtimit dhe diskutimit të dukurive negative si bullizmi dhe ngacmimet seksuale. Ka bërë investime në ‘dhomat mike’ për intervistimin e fëmijës, kurse në qendrat për azil ofrohen shërbime psikosociale, mjekësore e juridike. Gjatë qëndrimit në vendin tonë, 215 fëmijë afganë kanë marrë shërbime dhe janë mirëpritur në hapësirat miqësore të cilat ofron Kosova.

Për të siguruar respektimin e të drejtave të fëmijëve po vazhdojmë fushatën për vetëdijesimin e Publikut për Zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Një linjë telefonike vazhdon të jetë e hapur për denoncimin e shkeljeve të të drejtave të tyre.

Të drejtat e fëmijëve nuk janë vetëm ekonomike e sociale, por janë edhe të drejta kulturore. Artistët tanë të së ardhmes gjenden në shkollat tona fillore e të mesme. Prandaj, te shkollat dhe nxënësit i kemi orientuar disa nga projektet tona siç është programi EduOpera i Ministrisë së Kulturës. Rreth 2 mijë nxënës kanë marrë pjesë në këtë program që ka për qëllim njohjen, diskutimin mbi operat kombëtare dhe ndërkombëtare. Ndërkaq, në projektin e sportit malor “Drejt Malit” ishin të përfshirë 406 nxënës nga të gjitha komunat e komunitetet, si edhe nxënës me nevoja të veçanta.

Dhe në fund, lumturia e fëmijëve varet shumë nga lumturia e prindërve apo e kujdestarëve të tyre. Prandaj, kur themi të drejta të fëmijëve, duhet t’i mendojmë të gjitha: ajër e ambient të pastër, infrastrukturë të mirë rrugore, zhvillim të ekonomisë, shëndetësisë, arsimit e kulturës, ambient të sigurt. Më shumë parqe e hapësira të përshtatshme shkollore, por edhe punësim e kushte për prindërit. Që ata të jenë të lumtur dhe të kenë kujdes për fëmijët e tyre, e kohë të lirë edhe për punën, mësimet e argëtimin e fëmijëve të tyre në shkolla e jashtë tyre. Kështu ndikojmë edhe në mirëqenien e fëmijës.

Siç na porosisin edhe vetë fëmijët: duhet t´i shohim dhe të mos i harrojmë ato që nuk shihen me sy. Zemra sheh më qartë e më shumë se syri. Politikat tona do të jenë të zemrës dhe plot dashuri e kujdes për brezat e rinj të vendit tonë.

Të ngjashme