Kurti: Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parime të politikës së jashtme

Pejë | 13 Sht 2021 | 10:23 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në hapjen e edicionit të 7-të të Shkollës Diplomatike, e organizuar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, raporton Ekonomia Online.

Ai fillimisht uroi drejtorin e Përgjithshëm të Akademisë Diplomatike, Sabri Kiçmari dhe Drejtorin e Fondacionit Friedrich Ebert Stiftung, Rene Schlee,  për organizimin e këtij edicioni dhe falënderoi diplomatët që kanë udhëtuar distanca të gjata për të qenë pjesëmarrës në këtë ngjarje.

Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, paqja e qëndrueshme dhe stabiliteti afatgjatë me shtetet e rajonit dhe më tej, janë parimet e politikës sonë të jashtme, u shpreh kryeministri Kurti.

Me besimin se nëpërmjet kontakteve formale dhe joformale në mes diplomatëve tonë do të mund të arrihet një bashkëpunim më i avancuar dhe mirëkuptim në mes vendeve dhe qeverive tona, kryeministri Kurti i uroi edhe një herë mirëseardhje të pranishmëve në Kosovë dhe punë  të mbarë gjatë qëndrimit të tyre në vend.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla, me këtë rast ka vlerësuar se në një botë ku ndryshimi dinamik është një prej dukurive kryesore, është thelbësore që të mblidhen përfaqësues të fushave të ndryshme nga vende të ndryshme, për shkëmbim përvojash dhe dialog mbi botën në të cilën po jetojmë, sfidat aktuale  dhe të ardhshme.

Gërvalla tutje u ka shpjeguar diplomatëve të huaj traditat dhe veçantitë e vendit.

“Kosova është një vend i vogël, por shumë i veçantë. Ne nuk jemi vetëm vendi më i ri në Evropë. Ne gjithashtu kemi popullsinë më të re sipas moshës. Asnjë vend në rajon, madje as kudo tjetër në Evropë, nuk është aq mbështetës ndaj BE-së dhe NATO-s. Në sondazhet e fundit ne regjistruam mbështetje për këto dy struktura kryesore ndërkombëtare me më shumë se 90% të qytetarëve. Kjo është unike, dhe kjo përfaqëson vullnetin e njerëzve tanë dhe strategjinë e qeverisë sonë”, ka thënë ajo.

Gjithashtu ka folur për aspiratat dhe angazhimin e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike.

Gërvalla, ka theksuar para pjesëmarrësve se Republika e Kosovës në të njëjtën kohë po punon me shumë partnerë të tjerë në të gjithë globin për të zhvilluar dhe thelluar më tej bashkëpunimin e ndërsjellë.

“Duke zbatuar një sërë reformash, mbi të gjitha me fokusin e saj të qartë në vendosjen e sundimit të ligjit, Qeveria e re po demonstron ndryshimin, i cili ka ardhur në Kosovë dhe që do të kontribuojë në rrugën tonë evropiane”.

Po ashtu politika e jashtme e Kosovës ka thënë se synon identifikimin gjithnjë e më të fortë të Kosovës me kulturën  e saj, si dhe promovimin e mundësive të bashkëpunimit ekonomik të Republikës së Kosovës me investitorë të huaj.

Ndër të tjera ka përmendur bukuritë natyrore, pikat turistike, jetën shumë të gjallë dhe elemente të tjera që karakterizojnë vendin.

Në edicionin e sivjetmë, është trajtuar tema “Siguria bashkëpunuese në kohët e Pandemisë”, u janë mbledhur diplomatë nga 16 shtete të botës.

Të ngjashme