Kurti deklaroi ndryshe, Osmani sqaron se ministri nga pakica serbe duhet të marrë votat e Listës Serbe

Prishtinë | 10 Tet 2019 | 21:19 | Nga Ekonomia Online

Vjosa Osmani nga LDK-ja ka thënë se bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje do t’i marrin 61 ose më shumë deputetë.

Në Rubikon të KTV-së, megjithatë, ka thënë se do të jenë të rëndësishme votat e Listës Serbe.

“Bashkë me pakicën do arrijmë qeveri stabile me 2 të 3”, tha ajo.

Pjesëmarrjen e Listës serbe, si juriste, e sheh të rëndësishme.

“Ta zëmë ministrat jo doemos duhet të jenë të Listës serbe por duhet gjithsesi që të jetë vota e tyre”, tha ajo.

Kandidati më potencial për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë para disa ditësh se ministri nga radhët e pakicës serbe nuk do të vijë nga Lista Serbe, me arsyetimin se ajo është e ndikuar nga Beogradi.

Por, Osmani ka shpjeguar se sipas Kushtetutës, ministri mund të vijë nga ndonjë parti tjetër ose shoqëria civile, por duhet të marrë pëlqimin e së paku gjysmës së deputetëve serbë.

Dhe tashmë është e sigurt që të gjitha 10 ulëset e rezervuara do t’i shkojnë Listës Serbe.

“Është me rëndësi të diskutojmë me të gjithë, pra përfshirë Listën Serbe. Nëse shumica në 10 ulëset e deputetëve serbë janë nga ata, duhet t’i kemi parasysh votat e tyre, kështu thotë Kushtetuta jonë”, tha ajo.

Osmani ka folur edhe për kontratën me ContourGlobal, e ka vlerësuar si të rrezikshme dhe ka thënë se s’do të përkrahet.

“Nesër dy partitë politike do të diskutojmë për këtë çështje”, tha ajo.

Të ngjashme