Kurti dhe Jashari: Prioritet shëndeti i qytetarëve, të bashkuar do t’ia dalim

Prishtinë | 14 Pri 2020 | 15:52 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Emilija Redzepi, kanë qëndruar sot në Skënderaj ku janë pritur nga kryetari i kësaj komune, Bekim Jashari.

Kryetari Jashari se bashku me Kryeministrin Kurti u dakorduan për bashkëpunim të mëtutjeshëm më qëllim të parandalimit të virusit COVID-19, transmeton Klan Kosova.

“Biseduam shumë gjera që po na preokupojnë rreth pandemisë COVID-19, po ashtu u dakorduam që ne të kemi unitet mes vete, pa dallime, në mënyrë që të dalim sa më lehtë nga kjo gjendje në të cilën jemi”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër Kryeministri Kurti, është shprehur mirënjohës ndaj Jashari, për koordinimin e vazhdueshëm me institucionet qendrore.

“Unë e falënderova kryetarin për respektimin e vendimeve të qeverisë, të udhëzimeve të mjekëve dhe për bashkëpunimin që e ka pasur me Ministrinë e Shëndetësisë, me qeverinë tonë në detyrë, për çdo gjë terë kohën”, është shprehur Kryeministri Kurti.

Gjatë këtij takimi u bë thirrje për respektim të këshillave të Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës si dhe të institucioneve të tjera.​

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme