Kurti dhe Mehaj priten nga gjenerali i Iowas, flasin për reformën në Ushtrinë e Republikës së Kosovës

Prishtinë | 14 Maj 2022 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë takuar Gjeneralmajorin e Gardës Kombëtare të Ioëas, Benjamin Corell, si dhe pjesëtarët e FSK-së që po qëndrojnë për trajnime në Iowa.

Siç njoftoi Mehaj, Corell ka vlerësuar lart kontributin e ushtarëve kosovarë në misionet e paqes në Lindjen e Mesme, derisa Mehaj tha se ai dhe Kurti e falënderuan atë për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe faktin që “Republika e Kosovës tashmë shihet si partner i besueshëm i gatshëm për bashkëzbarkim me Gardën Kombëtare të Iowas” në çdo mision.

“Zbarkimi i FSK-së së bashku me ushtarët e SHBA-së në misione jashtë shtetit tonë, strehimi dhe asistimi i transportimit të refugjatëve afganë, janë elemente të një shteti bashkëpunues që përqafon vlerat evropiane, si dhe hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të reformës në Ushtrinë e Republikës së Kosovës sipas standardeve Euro-Atlantike”.

Mehaj ka shkruar se misionet paqeruajtëse, kërkesa për bazë të përhershme ushtarake amerikane në Republikën e Kosovës dhe vullneti i Qeverisë për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes, janë mesazh i qartë i qëndrimit të Kosovës karshi aleatëve të saj dhe gatishmërisë së vazhdueshme që Kosova ka për të qenë kontribuuese e sigurisë në botë.

“Ky partneritet ndërmjet Kosovës dhe Iowas ka ndihmuar në shkëmbimin e vlerave dhe përvojave dhe do t’u ofroj qytetarëve të të dy shteteve mundësi më të mëdha. Kosova me rininë e saj dhe Ioëa me kompanitë e gatshme për investim, janë sinergjia e një miqësie të përjetshme me rezultate shumë pozitive”.

Kurti bashkë me Mehajn po qëndrojnë në vizitë zyrtare në SHBA.

Të ngjashme