Kurti: Dialogu Thaçi – Vuçiq është më afër konflikteve të vjetra sesa paqes së re

Prishtinë | 14 Sht 2018 | 17:42 | Nga

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me deputeten Arbërie Nagavci dhe zyrtaren nga Sekretariati për Marrëdhënie me Jashtë, Diona Budimën, pritën sot në takim ambasadoren e Finlandës, Pia Stjernvall, dhe këshilltaren e lartë, Jehona Ademaj Sejdiu, transmeton Ekonomia Online.

Në takim u diskutuan zhvillimet e fundit politike në vend, veçanërisht dialogu Kosovë – Serbi. Kryetari Kurti tha se ky dialog është një aventurë personale e Presidentit Thaçi dhe se Lëvizja Vetëvendosje e sheh si tejet të dëmshme e të papranueshme atë. Zgjidhja është njohja e pavarësisë së Kosovës e jo pazaret me territore me Serbinë, reciprociteti i të drejtave e jo lojërat e rrezikshme të presidentëve autokratë.

Kryetari Kurti shtoi se dialogu Thaçi-Vuçiq, i veshur me deklarata të mjegullta mbi korigjim kufijsh dhe shkëmbime territoriale, është më afër konflikteve të vjetra sesa paqes së re.

“Problemi nuk është i karakterit etnik. Ai është i nxitur nga politikat hegjemoniste të Serbisë. Nuk janë dallimet etnike dhe kulturore shkaku i konfliktit por interesat e kundërta midis popullit që do çlirim dhe shtetit okupator që shtyp e shfrytëzon. Autokratët si Vuçiq dhe Thaçi tentojnë ta paraqesin problemin si ‘ndër-etnik’ për t’ia zgjatur vetes jetën në pushtet e për t’ua nxirë atë popujve duke i armiqësuar ata”, thuhet në komunikatën e LVV-së.

Palët, në fund, u pajtuan për takime më të shpeshta dhe bashkëpunime të mëtutjeshme.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme