Kurti e Konjufca nderojnë ish-sekretaren Albright: Mirënjohës për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 09:48 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë bërë homazhe te busti i ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë kontributin e ish-sekretares Albright. Tha se së bashku me ish-presidentin Clinton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtarë për ta ndalë gjenocidin e shtetit serb mbi popullin e Kosovës.

“Bashkë me kryeministrin Kurti po bëjmë homazhe te busti i sekretares së shtetit amerikan Madeline Albright e cila ndërroi jetë dje. Populli i Kosovës nuk do ta harrojë kurrë dhe gjithmonë do të jetë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm që e ka dhënë zonja Albright për çlirimin dhe lirinë e popullit tonë. Ajo së bashku me presidentin Clinton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtarë për ta ndalë gjenocidin e shtetit serb mbi popullin e Kosovës. Në ditën e djeshme, presidenti Clinton në një adresim që ia bëri popullit amerikan, më së miri e përshkroi zonjën Albright, duke thënë se për popullin amerikan ajo ishte një thesar kombëtar”, tha Konjufca.

E shefi i Qeverisë, Albin Kurt, tha se Politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyre më të përsosur sesa te personaliteti i zonjës Albright.

Kurti tha se ish-sekretarja Albright ishte aq profesionale në secilën prej asaj çfarë bënte e thoshte.

“Politika, diplomacia dhe historia vështirë se kombinohen në një mënyrë më të përsosur se sa te personaliteti i jashtëzakonshëm i zonjës Sekretare, Madeleine Albright. Ajo në politikë ishe historiane, në histori ishte diplomate ndërkaq në diplomaci ishte politikane. Kur kemi parasysh edhe përvojën e saj jetësore si emigrante hebreje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e cila fëmijërinë e ka kaluar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pastaj është shkolluar në vendin tempull të demokracisë e është bërë Sekretarja e parë e Shtetit amerikan grua, natyrisht që kemi të bëjmë me një figurë e cila nuk i takon vetëm shekullit 20, por edhe atij 21”, tha Kurti.

“Çdo herë kur fliste, vepronte ose shkruante ishte aq profesionale në secilin prej asaj çfarë bënte e thoshte, sa që nuk mund të quhej profesioniste për shkak të qenies së saj të gjithanshme. Dija e saj e thellë, mendja e mprehtë, dashuria e paepur për të drejtat dhe liritë e qytetarit në republikë, orientimi i saj për demokracinë sociale dhe gjithashtu edhe njohuritë e jashtëzakonshme për gjeopolitikën, e bëjnë një personalitet i cili do të kumbojë gjatë jo vetëm në politikën dhe qeverisjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e te ne në Kosovë po edhe në shumë vende tjera të botës”, tha Kurti ndër të tjera.

Të ngjashme