Kurti e Konjufca në mesin e zyrtarëve të cilëve do t’iu kontrollohet pasuria nga Anti-Korrupsioni

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 09:34 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) ka hedhur shortin për përzgjedhjen e 20 për qind të zyrtarëve që janë subjekte të deklarimit vjetor të pasurisë, të cilët do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë, raporton Ekonomia Online.

Nga gjithsej 4662 subjekte deklaruese, 932 zyrtarë do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga AKK.

Në mesin e zyrtarëve, pasuria e deklaruar e të cilëve do të kalojë nëpër “sitën” e AKK-së janë kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëherësh deputet, Memli Krasniqi, kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli etj.

Gjithashtu në këtë listë të kontrollit të pasurisë është edhe zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ministri i Bujqësisë Faton Peci, zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Kontroll i pasurisë do t’iu bëhet edhe disa prej kryetarëve të Komunave: Kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj; atij të Prizrenit, Shaqir Totaj; të Zveçanit, Srdjan Milosavljevic; të Fushë-Kosovës, Burim Berisha; Fadil Nurës të Skënderajt; kryetares së Graçanicës, Ljiljana Subaric; të Zubin Potokut, Srdan Vulovic; kreut të Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza dhe atij të Ranillugut, Vladica Aritonovic.

Pasuria do t’iu kontrollohet edhe 22 deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Besim Muzaqi, Avni Dehari, Vasfije Blair, Marigona Geci, Ariana Musliu-Shoshi, Zoran Mojsilovic, Samra Ilijazi, Hajdar Beqa, Gani Krasniqi, Igor Simic, Fadil Gashi, Arben Gashi, Fitore Pacolli-Dalipi, Memli Krasniqi, Jetmire Vrenezi, Erxhan Galushi, Valon Ramadani, Behgjet Pacolli, Fitim Haziri, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Floretë Zejnullahu dhe Mirlinda Tishukaj-Sadiku.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Yll Buleshkaj, ka thënë se për të evituar lëshimet eventuale gjatë procesimit të të dhënave, Agjencia KIundër Korrupsionit përmes personave kontaktues, javën e kaluar, ka dërguar te subjektet deklaruese regjistrat e deklarimit të pasurisë dhe tashmë ka pranuar përmirësimet nga ta.

“Nga numri i përgjithshëm i  zyrtarëve të lartë publikë që kanë pasur për obligim ta deklarojnë pasurinë, 4684 zyrtarë të lartë publikë kanë bërë deklarimin e pasurisë brenda afatit të rregullt ligjor, 50 zyrtarë e kanë deklaruar pasurinë pas afatit të rregullt ligjor, ndërsa 14 prej tyre nuk e kanë deklaruar pasurinë deri më tani”, tha Buleshkaj.

Të ngjashme