Kurti e Osmani i fshijnë shpallësit e pavarësisë Thaçin e Sejdiun, këtë të fundit e injorojnë gjatë fjalimeve në shesh

Prishtinë | 17 Shk 2022 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Albin Kurti e Vjosa Osmani në fjalimet e tyre në Kuvend në 14 vjetorin e pavarësisë, as sa për kujtesë historike, nuk kanë përmendur dy figurat Fatmir Sejdiun dhe Hashim Thaçin, që ishin në krye të institucioneve të Kosovës, kur u shpallë pavarësia në vitin 2008. Kur kanë dalur për të mbajtur fjalime në ceremoninë në shesh, ku kanë parakaluar ushtarët e FSK’së dhe pjesëtarët e FSK’së, ata i kanë përshëndetur të gjithë, por kanë injoruar ish -Presidentin Sejdiu i cili ka qenë në mesin e mysafirëve.

Albin Kurti e Vjosa Osmani kanë mbajtur nga dy fjalime sot në përvjetorin e 14’të të pavarësisë së Kosovës.

Osmani ka përmendur momentin e aktit të shpalljes por nuk e ka thënë asnjë fjalë për protagonistët e ngjarjes Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thacin që ishin në krye të institucioneve atë kohë. Pikërisht, periudhën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Vjosa Osmani ka qenë këshilltare e Presidentit Sejdiu.

“Në këtë sallë, 14 vjet më parë, Kosova u shpallë shtet, duke jetësuar kështu vullnetin e qytetarëve tanë për të jetuar në një vend sovran e të pavarur. Aspirata shekullore e popullit të Kosovës u materializua me pavarësinë e Kosovës, e cila hapi një kapitull të ri jo vetëm për ne, por edhe për globin, duke regjistruar në historinë njerëzore të asaj kohe shtetin më të ri në botë” ka thënë ajo.

Të njëjtën e ka bërë edhe Kryeministri Kurti i cili në fillim u duk se po e nisë një fjalim unifikues duke thënë se “sot është ditë feste për të gjithë neve. Është ditë ku për disa çaste lëmë mënjanë dallimet tona të përditshme për ta shënuar këtë moment arritje që në shumë aspekte përbënë arritjen e gjeneratave të shqiptarëve ndër shekuj”. Duke mos gjetur vend në fjalimin e tij për Thaçin dhe Sejdiu, Kurti i acaroi partitë opozitare të cilat e lëshuan sallën e Kuvendit, duke e akuzuar se Kryeministri e prishi festën duke e mbajtur një fjalim përçarës dhe ofendues.

Pas fjalimeve të Kurtit dhe Osmanit, ka reaguar shefi i grupit parlamentar të PDK’së Abelard Tahiri

“Është e papranueshme të mos përmenden akterët kryesorë, nuk mund të zhbëhet ajo që ish-kryeministri Hashim Thaçi ka thirrë seancën e jashtëzakonshme për shpalljen e pavarësisë nuk mund të zhbëhet roli i ish-kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi e as e ish-presidentit Fatmir Sejdiu. Dua të shpreh keqardhje për sjelljen e kryeministrit Kurti në seancën solemne, Albin Kurti do të duhej të kishte rol unifikues presidentja e vendit poashtu”, ka thënë Tahiri në konferencën e thirrur për media pas opozita lëshoi seancën.

Kurti e Osmani janë treguar gjakftohtë edhe në ceremoninë në shesh ku ka parakaluar FSK dhe Policia e Kosovës.

Edhe pse në mesin e të ftuarve, ata nuk e kanë përmendur fare ish -Presidentin Fatmir Sejdiu, të cilin Osmani e ka pasur edhe profesor në Fakultetin Juridik.

Të ngjashme