Kurti e shkeli marrëveshjen që e nënshkroi me LDK-në

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 17:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Kurti e shkarkoi njëriun e dytë të LDK-së, Agim Veliu, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme për shkak të deklaratës së tij të dhënë mbrëmë, e cila nuk përkonte me qëndrimin e kryeministrit Kurti lidhur me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, tha se Kurti nuk e ka njoftuar për këtë vendim të njënashëm, që, sipas tij, është në kundërshtim me marrëveshjen e koalicionit qeverisës.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kur janë marrë vesh për bashkëqeverisje, kanë rënë dakord edhe për mënyrën se si do të bëheshin shkarkimet e ministrave.

Në marrëveshjen e koalicionit qeverisës shkruan se kryeministri i shkarkon ministrat në konsultim me kryetarin e partisë me të cilën e ka bërë koalicionin.

“Emërimi dhe shkarkimi i anëtarëve të Qeverisë dhe i zyrtarëve/trupave që emërohen dhe shkarkohen nga Qeveria: Zëvendëskryeministrat, ministrat dhe zëvendësministrat i propozohen Kryeministrit nga Kryetari i subjektit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. Të njëjtit mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjetit politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i subjett politik me të cilin është bërë marrëveshja e koalicionit. E njëjta gjë vlen për të gjithë të emëruarit e tjerë nga Qeveria”, thuhet në marrëveshjen e LVV-së me LDK-në.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit u tha se Veliu po shkarkohet pasi mbrëmë ka shpërndarë panik lidhur me situatën e krijuar nga virusi Covid-19 dhe se ka dalë kundër qëndrimit të Qeverisë, e cila nuk do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme në vend.

Kryetari i LDK-së ka thënë se vendimi, sipas tij, i njëanshëm i Kurtit është i papranueshëm dhe i ka vënë ultimatum që ta anulojë deri në fund të javës.

“Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij të bëra publike.

Kërkoj nga Kryeministri të anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim per heqjen e taksës deri në fund të javës.

Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, ka shkruar Mustafa.

Të ngjashme