Kurti e shmang emrin e Thaçit, thotë se beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së

Prishtinë | 24 Qer 2020 | 18:38 | Nga Ekonomia Online

Lideri i LVV’së, Albin Kurti ka folur para mediave para selisë së partisë, pas lajmit për aktakuzë nga Prokurori i Specializuar për presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK’së, Kadri Veseli, raporton Gazeta Express.

Kurti ka thënë se ajo që po shihet sot është si pasojë e gabimeve që janë bërë më herët.

“Pasnesër bëhen 5 vite kur pat dështuar amandamentimi i Kushtetutës për nenin 24-të që i hapte rrugë formimit të Gjykatës Speciale, me 3 gusht sivjet bëhen 5 vite kur i njëjti nen si amendamentin kaloi pas trysnisë së paparë që u reflektua me përdredhje duarsh të deputetëve. Ajo cka po shohim sot është pasojë e re e gabimeve të mëhershme”, ka thënë ai.

Pa e përmendur me emër presidentin, Kurti ka thënë se lufta e UÇK’së është e drejtë.

“Nuk e di a është ashtu, por, e di që lufta e UCK’së, është luftë e drejtë është luftë kundër një agresori dhe okupatori I cili kishte kryer gjenocid në vendin tonë dhe se luftëtarët e lirisë veteranët e invalidët e UCK’së edhe politikisht edhe historikisht janë në të drejtën e tyre”, thotë ai.

Lideri i LVV’së, thotë se ngritja e aktakuzës për presidentin e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“S’do mend se kjo ngritje e aktakuzës e dëmton reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe një takim i tillë nuk do të mund të ishte I dobishëm në rrethanat e tjera të krijuara. Unë besoj në pafajësinë e UCK’së, dhe mendoj që Kosova është dashur qysh moti ta ketë gjyqësinë e vetë të paanshme që të hetojë gjykojë të gjitha krimet e luftës dhe të paqes dhe mbi të gjitha ato që janë shkaktuar nga Serbia në Kosovë, dmth VV ka kontribuar në dy momente të rëndësishme”, tha Kurti.

“Shteti i së drejtës nuk ka zëvendësim, unë gjithnjë kam thënë se nuk mund të na e bëjë drejtësinë dikush prej jashtë, apo prej anash, por ne në shtetin tonë duhet ta ndërtojmë dhe ta bëjmë atë me institucionet tona të pavarura. Kam shprehur bindjen time se ka pasur një projekt për coptimin e Kosovës, për korrigjim të kufijve, ky projekt pat dështuar se si ide nuk ka vdekur, nuk do të duhej të riaktualizohet si projekt”, tha Kurti.

Të ngjashme