Kurti falënderon Izraelin për pranimin e Kosovës, thotë se njohja nuk u ble për t’i dhënë sovranitet Serbisë

Prishtinë | 05 Sht 2020 | 17:19 | Nga Ekonomia Online

Ish-Kryeministri Albin Kurti e ka falënderuar njërin prej shteteve të fuqishme në botë – Izraelin –  që e ka njohur Republikën e Kosovës. Por, ka pasur vërejtje pse kjo njohje është përfshirë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Ka thënë madje se njohja nga Izraeli nuk është e blerë për t’i lëshuar sovranitet Serbisë.

“Izraeli duhet falënderuar, por njohja mes Kosovës e Izraelit është diçka mes vendeve tona, me ndihmën e ShBA-ve. Serbia nuk ka pse përfshihet në marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin. Nuk po e blejmë njohjen nga Izraeli duke i lëshuar sovranitet Serbisë”, ka shkruar Kurti, në një reagim.

Ish-Kryeministri Albin Kurti nuk ka thënë asnjë fjalë për thikat mbi hartat as për “Shtëpinë e Verdhë, të kuqe…”, kur e ka quajtur të dëmshme marrëveshjen e nënshkruar në Washington një ditë më parë nga Kryeministri Hoti dhe Aleksander Vucic.

Madje, Kurti e ka nisur reagimin e tij se fushata elektorale në SHBA po vazhdon, duke e ndërlidhur edhe marrëveshjen me garën se kush do të jetë në krye të Shtëpisë së Bardhë.

“Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten.  Nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nëshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova. Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre”, ka shkruar Kurti, në një reagim në Fb.

Të ngjashme