Kurti: Fëmijët nuk zgjedhin kush i udhëheq, të sigurohemi që demokracia s’po i diskriminon

Prishtinë | 20 Nën 2021 | 11:15 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Albin Kurti, tha se fëmijëve duhet që tu ofrohet mundësi që të rriten në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, raporton Ekonomia Online.

Kreu i Qeverisë në shënimin e Ditës Botërore të Fëmijëve, organizuar nga UNICEF-i, shtoi se fëmijët nuk e zgjedhin vendin ku rriten e kush i udhëheq.

Prandaj sipas tij, institucionet duhet të sigurohen që demokracia nuk po i diskriminon, duke shtuar se të rriturit nuk i dëgjojnë gjithmonë fëmijët, por që kjo qasje duhet të ndryshohet.

Angazhimi i të gjithëve për tu ofruar fëmijëve mundësi të barabarta, për Kurtin duhet të jetë prioritet i të gjithëve.

“Pavarësisht të gjithë fëmijët duhet ta kenë mundësin për tu rritur në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, fëmijët përballen me sfida në gjithë botën. Është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet. Bashkë duhet të shtojmë përpjekjet për shoqëri për fëmijët tonë”.

“Fëmijët nuk e zgjedhin vendin ku rriten e kush i udhëheq, duhet të sigurohemi që demokracia nuk po i diskriminon. Është  me rëndësi të marrim parasysh atë që kanë nevojë”.

“Të rriturit nuk dëgjojnë gjithmonë fëmijët. Qeveria kërkon të sjell ndryshime thelbësore. Fëmijët janë qytetarët e ardhshëm të demokracisë, konsultimi i fëmijëve. Ne duhet t’i mbrojmë fëmijët tonë, të angazhohemi të gjithë për mundësi më të mira për fëmijë”.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se investimi në të rijnë është i vetmi investim që siguron zhvillim.

Sipas tij, të rinjtë e të gjitha komuniteteve duhet të kenë mundësi të barabarta, duke shtuar se pret zbatim te MSA-së dhe vazhdimin e punës për heqjen e vizave.

“Jam i kënaqur të jem këtu në këtë ditë të shënuar për fëmijët. Fëmijët duhet të jenë bazë e çdo veprimi. Hartimi i planeve për ta duhet të jetë synim”.

“Investimi në të rijnë është i vetmi investim që siguron zhvillim. Të rinjtë e të gjitha komuniteteve duhet të kenë mundësi të barabarta. Presim që të zbatohet MSA-ja dhe të vazhdohet me punë për heqjen e vizave”.

Koordinatorja për Zhvillim të OKB-së në Kosovë, Ulrika Richardson, foli për pasojat e Covid-19 sidomos të fëmijët, duke kërkuar socializmin e tyre pas pandemisë.

Ajo ka porositur që fëmijët të jenë në qendër dhe tu krijohet mundësi, për një të ardhme më të mirë, raporton EO.

“Ne duhet të dëgjojmë fëmijët dhe propozimet e tyre. Covid ka krijuar shumë efekte sidomos të fëmijët në gjithë botën, duke u mbyllur edhe shkollat e shumë prej tyre u infektuan. Duhet të punohet tash në socializmi pas kësaj situate”.

“Integrimi i fëmijë nga komunitetet duhet të jetë synim, ngase ata e kanë të vështirë përfshirjen në arsim. Ne jemi duke bashkëpunuar me të gjithë, që fëmijët të jenë në qendër dhe tu krijohet mundësi, për një të ardhme më të mirë”.

Shefja e zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha se Kosova duhet të jetë krenare për të rinjtë e suksesshëm nëpër botë e që janë shembull edhe për të tjerët.

Më pas ajo me të pranishmti ka ndarë përvojë e një të riu nga Gjakova që kishte aksident dhe mbetin në karrocë, por që nuk u dozuar dhe tash avokon për të drejta e fëmijëve.

“Duhet të jeni krenar Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovë, Dua Lipën e Rita Orën që janë inspirim për shumë të rijnë nga Kosova”.

“Në vazhdim po iu sjellë një shembull se si një djalë nuk është dorëzuar edhe përkundër sfidave. Mertioni është një i ri nga Gjakova, i cili pati një aksident. Nga depsrisioni nga aksidenti ai u largu nga jeta sociale, ngase mbeti në karrocë dhe nuk kishte edhe mundësi për qasje”.

“Po fal ndihmën së disa granteve të vogla, sot Mertioni është vullnetar dhe avokon për të drejtat e fëmijëve me të njëjtat probleme. Ai tash është në universitet dhe po ndihmon fëmijë. Prandaj të gjithë fëmijët meritojnë jetë të sigurt”.

Në fund fëmijët për kryeministrin, ai u pyet për zbatimin e ligjeve për punësimin e personave me nevoja të veçanta në institucione.

Kurti tha së janë rreth 50 të punësuar në institucione me nevoja të veçanta, kurse në Kryeministri janë dy persona dhe se kanë angazhuar 100 asistent për këtë kategori.

Më pas Kurti u përgjigje edhe për mosqasjen e këtyre personave në ndërtesat e institucioneve, për cka u zotua se do të gjendet zgjidhje edhe në komuna.

 Pyetje pati edhe për ministrin e ri të Shëndetësisë, Rifat Latifin rreth vaksinimit. Ai tha se të gjithë duhet të vaksinohen në mënyrë që shkollat të mbeten të hapura.

“…është  me rëndësi që të rriturit, fëmijët të vaksinohen. Vetëm nëse vaksinohemi të mbajmë shkollat hapur”.

“Nëse nuk i marrim vaksinat të gjithë atëherë është rrezik që Covid-19 t’i mbyll shkollat sërish”.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuari Ambasador Szunyog,

I nderuari ministër i Shëndetësisë Latifi,

E nderuara znj. Richardson,

E nderuara znj. Zicherman,

Të nderuar ambasadorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Austrisë,

E nderuara zëvendësministre Edona,   

E nderuara zonjusha Era,

Të dashur fëmijë,

Zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur të jem këtu, që e kisha mundësinë t’i përgjigjem ftesës së sotme, e cila na ftonte që të imagjinojmë një “normalitet të ri” për fëmijët, që krijon mundësi e ndezë ëndrra.

Pavarësisht se në çfarë vendi e rrethanash lindin, të gjithë fëmijët duhet ta kenë mundësinë për t’u rritur në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, që u mundëson të përmbushin atyre potencialin.

Fëmijët kudo, në çdo vend të botës, sot përballen me sfida të reja e të rrezikshme.

Pandemia e COVID-19 përveç se në shëndetin publik, solli pasoja shkatërruese edhe për fëmijët, të drejtat, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre.

Ndonëse pandemia dhe recesioni shoqërues kanë ndikuar në disponueshmërinë e burimeve, është e domosdoshme që të drejtat e fëmijëve të jenë prioritet.

Kujdesi shëndetësor për fëmijët, edukimi i tyre dhe avancimi i të drejtave të tyre ekonomike dhe sociale janë thelbësore në vetvete – por gjithashtu janë shtytës për shoqëri më të qëndrueshme, më të suksesshme.

COVID-19 ndërthuret me pabarazitë sociale e ekonomike ekzistuese, duke pasur ndikim të madh te fëmijët sot. Por edhe tek e ardhmja e tyre.

Andaj edhe ftesa e sotme, na e rikujton domosdoshmërinë për rindërtim të shoqërive tona. Që bashkërisht t’i shtojmë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë për fëmijët në të gjithë vendin tonë, e për të lënë pas një botë për të cilën jemi krenarë.

Sot janë mbushur 62 vjet nga Deklarata për të Drejtat e Fëmijëve e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dhe 32 vjet nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve. Neni 6, pika 2, i kësaj të fundit, thotë: “Shtetet Palë, marrin të gjitha masat e mundshme për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin e fëmijës.” Këtë detyrim duhet ta respektojë Kosova, sikurse çdo vend tjetër.

Fëmijët nuk e zgjedhin vendin se ku lindin, e as nga kush udhëhiqet ai vend. Janë të rriturit ata që i marrin vendimet për ta.

Prandaj, krahas mbrojtjes nga të gjitha format e diskriminimit, ne duhet siguruar që demokracia nuk po i diskriminon.

Kosova e ka popullsinë më të re në Evropë. 31% e popullsisë së Kosovës është nga 0-18 vjeç, pra gati 1/3 e popullsisë janë të mitur, e të cilët janë qytetarët tanë më të cenueshëm.

Është me rëndësi që t’i pyesim se çfarë mendojnë ata e të marrim parasysh atë që thonë, në hartimin e politikave për mbrojtjen e tyre.

Në fakt, fëmijët flasin vazhdimisht me të rriturit, me prindërit, mësuesit e kujdestarët e tyre.

Të rriturit nuk dëgjojnë gjithmonë në këmbim, megjithëse do të ishte shumë më mirë nëse do të dëgjonin. Bisedat e tilla reale, janë parakusht i politikës demokratike.

Prioritetet tona, sado të rëndësishme, nuk bën të na largojnë vëmendjen nga ëndrrat e fëmijëve. Ato për të cilat ne angazhohemi sot si individë e si shoqëri, do të trashëgohen nga fëmijët, prandaj që ne të rriturit duhet biseduar me ta, se cila është ajo e ardhme që duan t’ua ndërtojmë fëmijëve.

Dëshira për t’u dëgjuar është më e përhapura nga të gjitha dëshirat tona shoqërore. Secili nga ne duam që zëri ynë të dëgjohet, që roli ynë të njihet e që kontributi ynë të vlerësohet. E kjo nevojë është edhe më e shprehur te fëmijët dhe të rinjtë.

Qeveria jonë kërkon të sjellë ndryshime thelbësore në këtë drejtim. Gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve. Fëmijët janë qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët.

Pjesëmarrja e fëmijëve është element kritik i rindërtimit më të mirë. Pra konsultimi me fëmijët, të dëgjuarit e zërit të tyre dhe përfshirja e pikëpamjeve të tyre në këto procese.

Ndërsa ne, duhet te qëndrojmë pas planeve tona konkrete dhe zbatimit të tyre, për të mbrojtur fëmijët tanë, për të ndërtuar sisteme dhe shërbime që arrijnë të gjithë fëmijët.

Dua t’ju falënderoj të gjithëve, për kontributin e çmuar, punën dhe përkushtimin tuaj për të drejtat e fëmijëve, dhe veprimet e juaja për të ndryshuar shoqërinë dhe botën tonë.

Sot, më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, dhe në çdo ditë tjetër që vjen, le të angazhohemi të gjithë, së bashku me fëmijët, që të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për çdo fëmijë. Le të punojmë që të arrijmë potencialin tonë më të madh si shtet, duke u siguruar që vajzat dhe djemtë tanë të mund të përmbushin potencialin e tyre.

Ju faleminderit.

Të ngjashme