Kurti e Hajdari arsyetojnë shkarkimet në KRU “Prishtina”: Ndërhymë për ta ndalur degradimin e kompanisë

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 17:38 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pas shkarkimit të menaxhmentit të KRU ‘Prishtina” nga Bordi i Përkohshëm, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dalë në konferencë dhe ka thënë se ky shkarkim u bë për ta parandaluar degradimin e mëtejmë të kësaj ndërmarrjeje dhe për ta ruajtur paranë publike, raporton Ekonomia Online.

Vendimet për shkarkimin e zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje janë marrë në mbledhjen e mbajtur të marten, nga anëtarët e bordit të përkohshëm, të KRU “Prishtina”.

Të gjitha këto vendime janë marrë në përputhje me ligjin për Ndërmarrjet Publike me qëllim të ndaljes së dekradimit të kësaj ndërmarrjeje dhe ruajtjes së parasë publike të qytetarëve.

“Bordi i Përkohshëm është detyruar që të marrë masa të shpejta pasi që Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina në tri vitet e fundit kishte pësuar rrënim me këtë menaxhment duke e keqësuar gjendjen e saj operative dhe financiare. Ndërmarrja nga një fitim mbi 864 mijë euro në vitin 2016, kishte rënë në një humbje prej 751 mijë euro në vitin 2018. Ajo kishte marrë opinionin më të keq të mundshëm nga Auditori i Jashtëm dhe asnjëherë nuk ishte përfillur Auditori i Brendshëm”, ka thënë Kurti.

“Për më tepër menaxhmenti edhe pse operonte me humbje kishte vazhduar të paguaj bonuse për punëtorët në vlerë prej 110 mijë euro dhe ndëshkime për neglizhencë në vlerë prej 208 mijë euro. Jemi detyruar pra që të ndërhyjmë shpejt për të parandaluar këtë keqpërdorim që po i bëhej parasë publike përmes atij menaxhmenti joprofesional e të papërgjegjshëm”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, ministrja Rozeta Hajdari ka paraqitur të gjeturat dhe keqpërdorimet në këtë ndërmarrje publike.

Rozeta Hajdari i ka prezantuar gjetjet e Auditorit për tri vitet.  Ajo ka prezantuar 16 gjetje:

1. Kompania Rajonale Ujësjellësit Prishtina ka të inkasur një shumë prej 648. 443 euro të cilat janë të paguara nga qytetarët, por ato nuk u janë zbritur. Pra këtu është një parregullsi, ku qytetarët kanë paguar vazhdimisht, por borxhi i tyre nuk është shlyer, përkundrazi kanë pësuar një shkëputje të ujit.

2. Humbjet teknike dhe komerciale të ujit në viti 2018 ishin 58 për qind, e cila ishte rrit nga viti në vit. Në vitin 2015 ishin 53 për qind, ndërsa në vitin 2017 ishin 57 për qind, kurse në vitin 2018 ishin 58 për qind. Pra tregon një performim negativ nga viti në vit.
Çka do të thotë kjo gjetje, është se KRU Prishtina 58 për qind të ujit të cilin e hedhë në rrjetë nuk mund ta faturojë fare. Nëse vetëm 10 për qind e humbjeve të zvogëloheshin KRU Prishtina do të kishte një buxhet shtesë prej 1 milion e 400 mijë euro dhe jo që do të zvogëlonte humbjen vjetore, por edhe do të operonte me fitim.

3. K.R.U Prishtina ka paguar 200 mijë euro si ndëshkime kompanisë të cilës kishte dështuar të ja plotësoj kushtet për ta implementuar projektin investiv. Pra në këtë rast KRU Prishtina nuk ka siguruar kushtet paraprake për operim të projektit, ose zbatim të projekti, dhe kjo tregon një neglizhencë që ata kanë treguar pa krijuar kushtet paraprake për zbatim të projektit.

4. Nën drejtimin e këtij menaxhmenti në vitin 2016 ishte regjistruar një detyrim ndaj një furnitori në vlerë prej 516,441.00€ i cili ishte një detyrim fiktivë, pra që nuk ekzistonte fare, i cili ishte vërejtur nga Auditori.
Ky është rast për hetim ngase ka elemente të veprës penale pasi që është tentuar të krijohet një obligim fiktiv dhe kompania ka mund të dëmtohet për vlerën e plotë të 516,441.00€.

5. Nën drejtimin e këtij menaxhmenti K.R.U gjatë vitit 2018 ka deklaruar dhe paguar bonuse për punëtorët në vlerë prej 109,000.00€ edhe pse gjatë vitit kishte operuar me një humbje prej (751,015.00) €.
Pra në tre vitet e fundit kompania kishte një rënie drastike të fitimit, dhe megjithatë në këtë gjendje të vështirë financiare menaxhmenti kishte shpërndarë bonuese për punëtorët në vlerë prej 109,000.00 €.

6. K.R.U kishte një shumë prej 86,723.00 euro kërkesa nga punëtorët të cilat nuk ishin arkëtuar nga viti 2014 – 2017.
Edhe pse kompania operonte me humbje menaxhmenti nuk ishte kujdesur që të inkasoj këto kërkesa të cilat ishin ndaj punëtorëve që nga viti 2014. Për më tepër punëtorët nuk mund të dalin në pension dhe si rrjedhojë kompania nuk mundet t’i inkasojë këto mjete.

7. K.R.U kishte blerë automjete të përdorura në vlerë prej 63,451.00€ edhe pse KRPP nuk e rekomandon një gjë të tillë.

8. Përveç kësaj, K.R.U kishte nënshkruar një kontratë kornizë për shërbime të gastronomisë me Operatorin Ekonomik të pa përshtatshëm sipas Rregullës dhe Udhëzuesit për Prokurim Publik.

9. K.R.U kishte trajtuar me konsumatorët me standarde të dyfishta pasi që 10,670 konsumator që kanë borxh mbi 1000 € e të cilët nuk kanë kryer asnjë pagesë gjatë vitit, Kompania nuk ka ndërmarr asnjë veprim për procedura të përmbarimit, kurse kishte konsumator që me 200 euro borxh ishin dërguar në përmbarim.

10. Asnjë raport tremujor nuk ishte aprovuar dhe dërguar me kohë në Njësinë për Monitorim që është brenda Ministrisë, dhe përveç kësaj 32 punëtorët e punësuar në fund të muajit shtator nuk ishin të raportuar në raportin periodik ashtu siç kërkohet me Nenin 31.1 dhe Nenin 31.4 të Ligjit për Ndërmarrje Publike.
Pra menaxhmenti ishte treguar neglizhent në raportim me qëllim që të shmang raportimin e drejt dhe të saktë tek aksionari mbi punësimet e bëra në shtator të vitit 2018.

11. K.R.U Prishtina gjatë vitit 2017 kishte njohur shpenzime të borxhit të keq, në shumë prej 869,929.00 euro të cilat i kishe arkëtuar më vonë por të cilat nuk i kishte njohur si të hyra të vitit 2018 atëherë kur ishin arkëtuar.
Kjo tregon një nivel të jo-profesionalizmit në analizimin e mirë të borxheve të këqija, ose është një tendencë për të shlyer borxhet e konsumatorëve qëllimisht.

12. K.R.U Prishtina ishte treguar tejet neglizhente në trajtimin e kërkesave për regjistrim të ujëmatësve. 83 investitorë të cilët kishin bërë kërkesë për legalizim të ujëmatësve individual të banimeve kolektive KRU i kishte vonuar nga 1 muaj deri në një vit duke mos i legalizuar ata.
Pra pa përgjegjësia e manaxhmentit për ndërmarrjen shkon deri në atë nivel ku konsumatori i cili dëshiron me vullnet që të bëhet konsumator i rregull ata e vonojnë edhe më shumë se 1 vit duke mos e legalizuar ujëmatësit e tyre.

13. K.R.U Prishtina kishte mashtrua në raportim të Pasqyrave financiare duke deklaruar si obligime të TVSH-së në vlerë prej 287,080.00€ edhe pse gjendja ishte krejt ndryshe, pra KRU i detyrohej ATK-së me vetëm 64,226.00€.

14. Përveç kësaj K.R.U ka deklaruar edhe një obligim tatimor në Administratën Tatimore si Tatim në Fitim në vlerë prej 94,064.00€, kurse pas konfirmimit të auditorit shihet se kjo vlerë është zero.

15. Donacionet që jepeshin nga donatorët nuk trajtoheshin si duhet duke mos u regjistruar dhe duke lënë hapësirë për keqpërdorim. Një shembull është vetura në vlerë 9,817.00€, si donacion e cila nuk ishte regjistruar fare në kontabilitet.

Mosregjistrimi i donacioneve në kontabilitet është mundësi e madhe për tu keqpërdorur si aset ngase nuk ka ndonjë dokument burimor për blerjen e tij dhe si rrjedhojë ajo mund të shitet pa u vërejtur fare.

16. Në vitin 2017 Zyra Kombëtare e Auditimit kishte dhënë një opinion të kualifikuar me 20 rekomandime, Menaxhmenti i KRU-së jo që nuk i kishte implementuar as 50% të këtyre rekomandimeve, por në vitin 2018 Zyra Kombëtare e Auditorit kishte dhënë 39 rekomandime me një opinion të kundërt, opinion ky që është opinioni më i keq që ka marrë ndonjë ndërmarrje. Edhe më keq qëndron në implementimin e rekomandimeve të Auditimit të Brendshëm me rreth 90 rekomandime të dhëna në vitin 2019 vetëm 3 prej tyre ishin implementuar.

Ministrja Hajdari tha se përfundimisht do të ishte shkelje ligjore nga Bordi i përkohshëm nëse nuk do të kishte marrë vendime të shpejta për ta shpëtuar ndërmarrjen sikurse që do ishte shkelje jo vetëm ligjore por edhe kushtetuese e Qeverisë së Kosovës nëse do të qëndronin duarkryq duke shikuar nga anash dhe duke mos reaguar ndaj keqpërdorimit të parasë publike që po bëhej.

Të ngjashme