Kurti: Forca e studentëve të ’81-ës shembull që s’duhet lejuar kurrë kompromiset e pushtetit me lirinë

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar se sot bëhen 38 vjet që prej organizimit të demonstratës së studentëve të Universitetit të Prishtinës më 11 mars 1981.

Historianët, shkruan Kurti, bien dakord se ajo demonstratë shënon fillimin e një procesi të pandërprerë që çoi deri në zhbërjen e Jugosllavisë, e deri në çlirimin e Kosovës.

“Fillimisht ishte një protestë spontane, tek mensa e studentëve. Aty të rinjtë u revoltuan ndaj shërbimit e kushteve të këqija. Por kjo protestë spontane e studentëve u shtyp brutalisht, dhe prandaj shumë të tjerë u solidarizuan dhe vendosën të organizojnë demonstratën e 11 marsit. Ndryshimi mes protestës e demonstratës nuk është vetëm te numri i pjesëmarrësve. Protesta mund të jetë spontane, rrjedh prej revoltimit aty për aty kundër diçkaje të papranueshme. Ndërsa demonstrata është e organizuar, masive, është populli që demonstron se është i gatshëm të vetëvendos e të vetëqeveriset, ta marrë vetë në dorë fatin e vet”, ka kujtuar Kurti në Facebook.

Populli si koncept politik, shkruan tutje ai, dallon nga popullata si koncept statistik, pikërisht sepse i pari organizon vetveten në disiplinë të tillë.

“Demonstratat e vitit 1981, të organizuara nga studentët e nxënësit e shkollave të mesme, shpejt u mbështetën edhe nga punëtorët, duke i dhënë fillim një pranvere shqiptare. Ato u shtypën dhunshëm, por çdo pushtet që përballet me demonstrata e vendosmëri të tillë, fundin e ka afër, sado i fuqishëm e i dhunshëm të jetë”, ka shkruar Kurti tutje.

Kryetari i LVV-së, thotë gjithashtu se pas demonstratave të 11 marsit, u organizuan të tjerat më 26 mars, e pastaj edhe më 1 e 2 prill 1981.

“Regjimi jugosllav u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Prishtinë e Mitrovicë. Por tashmë kërkesat e demonstruesve për Republikë e për Vetëvendosje ishin gdhendur në vetëdijen e popullit, dhe nuk mund të harroheshin më. Regjimit iu dridhën këmbët, ndërkaq studentëve as qerpiku. Qindra studentët e arrestuar u çuan në dhoma torturash, ku kanë përjetuar vuajtje të papërshkrueshme, megjithatë nuk u thyen”, shkruan tutje Albin Kurti.

Në fund, thotë Kurti, forca e studentëve të 1981 ende sot rrezaton tek ne, si shembull për rininë e për popullin, që nuk duhet t’i lejojë kurrë kompromiset e pushtetit me lirinë, me mirëqenien e me drejtësinë, të cilat ishin e janë kërkesat tona.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme