Kurti – gjermanëve: S’ia vlen më të fitosh zgjedhjet, duhet dalë në protesta

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Ish‘kryeministri e shefi i LVV’së, Albin Kurti ka bërë të ditur se partia në të cilën ai udhëheq do të vazhdojë të mbajë protesta deri në zgjedhje të reja.

Kurti i ftuar në bashkëbisedimin e organizuar nga “Friedrih Ebert Stiftung” ka thënë se Vetëvendosje do të jetë shumë aktive, e se në të gjitha sondazhet kanë dalë më shumë se 51%.

“Ne jemi partia më e madhe parlamentare në Kuvend, sigurisht do të kemi një rol primarë aty. Do të jemi shumë aktivë. Do të ketë protesta kohë pas kohe. Në sondazhe jemi më shumë se 51%, momentalisht kemi kriza shëndetësore, politike ekonomike në Kosovë”, ka thënë ai.

“Kur isha lider në protesta, shumë shpesh politikanët më thonin pse nuk del në zgjedhje dhe të hysh në qeveri e të shohësh se si është, pas 10 vitesh fitova.  Tash nuk vlen të fitosh në zgjedhje, e duhet të dilet në protesta”, thotë Kurti.

Ish’kryeministri i ka krahasuar votat që kanë marrë në zgjedhjet e fundit tash shefi i ekzekutivit, Avdullah Hoti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani.

“Kryeministri që është tash në qeveri ka më pak se 1 e gjashta e votave nëse krahasohet me Vjosa Osmanin që është kryeparlamentare dhe që ishte kandidate në zgjedhje”, thotë ai.

I pari i LVV’së, ka shtuar se është çmenduri që tash të diskutohet për shkëmbim me territore.

“Sa i përket shkëmbimit me territore, nëse mendoni se mund të ketë kufij të ri, që mund t’i vizatosh në hartë, është e çmendur, nuk është e mundur. Është e rëndësishme të dihet se vetëm liderët autoritarë që kanë logjikë patriarkale mendojnë se janë baba i shtetit e se shteti është shtëpia e tyre, territori është i tyre e mund të i shkëmbejnë tokat. Është presidenti që punon si të jetë monark”, shtoi ai.

Të ngjashme