Kurti i butë me masat ekonomike në pandemi, por agresiv në kapjen e bordeve

Prishtinë | 10 Pri 2020 | 23:02 | Nga Ekonomia Online

Për shkarkimet nga Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës dhe për futjen e zyrtarëve të Vetëvndosjes, ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci.

Stavileci vlerëson se kryeministri i shkarkuar Albin Kurti në vend që të meret me menaxhimin e pandemisë, gjithë energjinë po e shfrytëzon në kapjen e bordeve duke futur në to zyrtarë të Vetëvendosjes pa asnjë kompetencë e me dosje të dyshimta.

Deklarata e plotë e Blerand Stavilecit:

KRYEMINISTRI I BUTË ME MASAT EKONOMIKE NË PANDEMI, E AGRESIV NË KAPJEN E BORDEVE

Dje e dëgjuam Drejtoreshën Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, në një adresim për mënyrën se si shtetet duhet të përballen me pasojat e pandemisë që ka kapluar globin tonë, me theks të veçantë në veprimet dhe masat ekonomike që duhet t’i ndërmarrin ato.
Pak minuta pas saj, pati një intervistë të Kryeministrit të vetëshkarkuar të Republikës sonë dhënë RTV21.
Mjafton t’i shkëpusim disa elemente që pasqyrojnë mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit në qeverisje.

Zonja Georgieva e rithekson atë që të gjithë ekspertët prominentë të ekonomisë po e thonë çdo ditë, se efektet negative të kësaj pandemie në ekonomi paralajmërojnë rënien më të madhe ekonomike që nga periudha e Depresionit të Madh, prandaj është i domosdoshëm intervenimi adekuat i shteteve për ta zbutur atë dhe për ta projektuar rimëkëmbjen. Madje, ajo edhe shpalos planin 4-pikësh me të cilin synohet të ndërtohet kjo urë e rimëkëmbjes. Në mes tjerash, ajo përmend edhe shumicën e shteteve të cilat tanimë janë duke punuar intensivisht në pakon e dytë emergjente për ekonominë, sepse të parën e kanë përfunduar.

Në anën tjetër, në vendin tonë, Kryeministri ynë fatkeqësisht duket se po jeton në një botë tjetër. Në vend se i tërë fokusi i tij dhe i Qeverisë së tij të ishte realizimi i pakos së parë ekonomike (se të dytën as që e kanë në rend), ashtu siç po e kërkojnë me të drejtë e njëzëri të gjitha bizneset dhe punëtorët e vendit tonë, dhe që ajo të kalojë në procedura të rregullta parlamentare e jo duke bërë shkelje kushtetuese, me çka edhe do të arriheshin qëllimet ekonomike, edhe do të unifikohej spektri politik, ai tallet në mënyrën më cinike të mundshme.
Madje, e përmend në frymën e një shakaje, siç e tha ai, një gjetje dhe rekomandim gjenial për rininë tonë. Gjeniu adoleshent i kohërave tona i porositi të rinjtë tanë që ashtu sikurse bënin dush para se të dilnin për t’u dukur bukur para pandemisë, tani, gjatë pandemisë, duhet të bëjnë dush pasi të kthehen në shtëpi, për të qenë të shëndetshëm.
Imagjinoni në shekullin 21 se çfarë porosie dha Kryeministri i një shteti!
Me të vërtetë është për keqardhje se si po sillet në këtë kohë pandemie dhe se si po tallet me të gjithë neve, e jo vetëm me të rinjtë të cilëve ua dha porosinë virtuoze. Këtë e shohim edhe nga deklarimet spekulative të disa prej ministrave të tij dhe të një kryetari komune, duke thënë se ne po e menaxhojmë më së miri nga të gjitha shtetet këtë situatë.
Jo zotërinj të nderuar, shumë gabim e keni. Për dijeninë tuaj, sot të gjithë kemi mundësi ta shohim se çfarë po ndodh në rajon, në kontinentin tonë dhe në mbarë botën në kohë reale. Kosova momentalisht ka 224 të infektuar dhe 7 të vdekur, pra me një koeficient të vdekshmërisë prej 3.12%. Serbia ka 2867 të infektuar dhe 66 të vdekur, me koeficient të vdekshmërisë 2.30%; Kroacia 1407 të infektuar dhe 20 të vdekur (1.42%); Mali i Zi 252 të infektuar dhe 4 të vdekur (1.58%); Turqia 42282 të infektuar dhe 908 të vdekur (2.15%); Estonia 1207 të infektuar dhe 24 të vdekur (1.98%); Letonia 589 të infektuar dhe 2 të vdekur (0.34%). Pra, siç po shihet nga këto të dhëna reale, paska shumë shtete këtu afër nesh ose me numër të popullsisë të ngjajshëm me neve që po punuakan shumë më mirë.
E ju zotërinj, jo vetëm pse jeni në detyrë, por jeni të detyruar e obliguar, të paktën moralisht, të bëni shumë më shumë dhe shumë më mirë për shëndetin e qytetarëve dhe për ekonominë e vendit tonë, në mënyrë që ajo të mos kolapsojë.
Kështu si po bëni, po na nxitni të mendojmë se në vend të projektimeve reale për tejkalimin e pasojave shëndetsore dhe ekonomike, jeni duke e projektuar atë dukuri që në fjalorin e termave të Psikologjisë Sociale e njohim si ‘projeksion’.
Keni dëgjuar kur njerëzit thonë ‘e dhashë provimin’, ndërsa kur nuk e japin thonë ‘më rrëzoi profesori’. Pra, ky është një shembull i dukurisë së projeksionit, kur meritat ia atribuojmë vetes sonë, kurse fajin për dështimin ia hedhim dikujt tjetër. Fatkeqësisht, sjellja dhe veprimet e këtij Kryeministri dhe klikës së tij po duken krejtësisht identike me shembullin e përmendur.
Nëse kemi sukses në këtë situatë, meritat i marrin ata, sepse e kanë urdhëruar popullatën për izolim dhe distancim social, e qe besa edhe rininë për të bërë dush. Ndërkaq, nëse dështojmë, faji është i joni që s’i kemi dëgjuar ata.
E pse atëherë nuk qëndrojmë mirë me koeficientin e vdekshmërisë dhe me masat ekonomike? I kujt na qenka faji këtu? Aq janë të shkathtë për t’u vetëviktimizuar saqë edhe këtu kanë përgjigje. Do të thonë që të tjerët kanë faj se nuk i lanë të qeverisin. Aha mirë, e si po mund të qeverisin për të shkarkuar e kapur borde?! Kaq të butë dhe komodë në raport me situatën shëndetsore dhe ekonomike, e kaq agresivë në kapje. Pra, kjo na qenka fytyra e tyre e vërtetë. Ky na qenka stili i tyre i qeverisjes.

Prandaj, Kryeministër, veproni për shëndetsinë, veproni për ekonominë, mos projektoni! Mos projektoni arsyetime dhe arsye të paqena. Punoni për të qenë të fundit me koeficientin e vdekshmërisë, e të parët me masat ekonomike. Tregoni kompetencë e përgjegjësi. Merrni shembull qoftë nga zonja Georgieva, qoftë nga shtetet e rajonit, e mos na jepni rekomandime të kota. Shëndeti dhe ekonomia kanë nevojë për shtetin, e jo për arsyetime të atyre që kanë kapur bordet e shtetit dhe ndjenjat e njerëzve me josinqeritet.

Të ngjashme