Kurti “i han” fjalët, tani thotë se do të takojë Listën Serbe

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 23:40 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kandidati kryesor për kryeministër, ka thënë se do të takojë përfaqësues të Listës Serbe dhe do të bisedojë me ta për të kryer obligimin kushtetues, dhënien e një ministrie për serbët.

Lideri i VV’së deklaron se takimi me këtë subjekt politik do të ndodh pasi që nuk ka përfaqësues të tjerë të minoritetit serb në Kuvend përveç Listës Serbe të cilën Kurti e quan zgjatim të Beogradit.

‘Deri në ditën e certifikimit të zgjedhjeve, kemi shpresuar se ndoshta do të mund t’ia dalë një deputet tjetër serb, i cili nuk është i Listës Serbe. Problemi im me Listën Serbe nuk është pse ajo është serbe. Përfundimisht, me certifikim, u pa që kjo nuk është e mundur’, ka thënë Kurti në Euronews të Shqipërisë.

Kandidati i VV’së për kryeministër thotë se do të takohet me Listën Serbe dhe do të veprojë ashtu sic parasheh kushtetuta, për dhënien e një ministre për përfaqësuesit serbë.

‘Unë nuk dua t’i ekskomunikojë Listën Serbe, mirëpo unë dua të takohem me ta dhe ta shqyrtojmë këtë çështje dhe po e theksojë edhe njëherë, unë do ta respektojë Kushtetutën sa i përket kësaj çështje. Edhe sa i përket kësaj çështje, mirëpo duke mos e ngatërruar obligimin kushtetues me koalicion politik. Koalicion politik qeverisës me Listën Serbe s’kemi obligim të bëjmë’, ka thënë Kurti.

Të ngjashme