Kurti i kërkon kancelarit austriak liberalizimin e vizave dhe anëtarësim në KE

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 16:34 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga kancelari i Austrisë, Karl Nehammer që Bashkimi Evropian t’i rrisë fondet për Kosovën, pasi siç tha ai, Austria ka ndikim të madh në BE, raporton Ekonomia Online

“Austria ishte rreze shprese për ne gjatë okupimet si dhe ndër shtetet e pra që e njohu shtetin e Kosovës dhe hapi ambasadën në shtetin tonë. Sikurse për refugjatët afgan kemi ofruar ndihmën tonë edhe Ukrainës dhe kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe për të ofruar kushte punës për 20 gazetarë ukrainas”, tha Kurti.

Kurti tha se me kancelarin e ka biseduar edhe përshpejtimin e agjendës për integrim në BE

“Qeveria jonë është e orientuar drejt reformave për të pambushur të gjitha kriteret që na ofrojnë sa më shumë në Bashkimin Evropian. E sigurova kancelarin se Kosova vazhdon të mbetet partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Sikurse për refugjatët afganë, kemi ofruar ndihmën tonë edhe në rastin e Ukrainës. U jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe kemi shprehur gatishmërinë për të ofruar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të deri 5 mijë refugjatëve”, tha ai.

Kurti tregoi edhe për kërkesat që i pati ndaj kancelarit të Austrisë. Ai tha se i ka kërkuar, kancelarit Nehammer mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Poashtu Kurti tha se i ka kërkuar atij edhe shtyrjen përpara të vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën në Këshillin Evropian.

“Me kancelarin austriak biseduam për situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës. Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përshpejtimin e agjendës së integrimit drejt anëtarësimit në BE. Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian të BE-së, sepse ky është një vendim i vonuar që po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës”, deklaroi ai.

Kurti tha se shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme sidomos në zhvillimin e arsimit ku qeveria e Austrisë e ka mbështetur Kosovën me projekte të ndryshme.

“Kosova duhet të përfitojmë shumë nga fondet e BE-ja dhe këtë e kërkoj nga kancelari pasi Austria si anëtare mund të na ndihmojë”, tha Kurti

Fjala e plotë e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët me Kancelarin Federal të Republikës së Austrisë, Karl Nehammer:

Të nderuar gazetarë, zonja dhe zotërinj,

Jam i nderuar me vizitën e Kancelarit Federal të Republikës së Austrisë, Shkëlqesisë së Tij, z. Karl Nehammer, që po ndodhë në një kohë mjaft të tensionuar për botën demokratike.

E falënderova kancelarin për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe për ndihmën e dhënë gjatë luftës në Kosovë. Austria ishte rreze shprese për ne gjatë okupimit dhe apartheidit, si dhe ndër shtetet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe hapi ambasadë në vendin tonë.

Biseduam për marrëdhëniet tradicionalisht të forta ndërmjet vendeve tona dhe mundësitë e thellimit të tyre.

Qeveria jonë është e orientuar drejt reformave për të përmbushur të gjitha kriteret që na afrojnë sa më shumë me Bashkimin Evropian. E sigurova Kancelarin që Kosova vazhdon të mbetet partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm.

Sikurse për refugjatët afganë, kemi ofruar ndihmën tonë edhe në rastin e Ukrainës: u jemi bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, kemi shprehur gatishmërinë për të pranuar dhe mundësuar kushte pune për 20 gazetarë ukrainas dhe gatishmëri për strehim të deri 5000 refugjatëve.

Me kancelarin austriak biseduam për situatën e re politike dhe nevojën për kujdes të shtuar në këtë pjesë të Evropës. Potencova rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe përshpejtimin e agjendës së integrimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga kancelari kërkova që Austria të shtyjë përpara vendimin për liberalizimin e vizave në Këshillin Evropian të Bashkimit Evropian, sepse ky është një vendim i vonuar i cili po i dëmton jo vetëm qytetarët, por edhe bizneset dhe ekonominë e Kosovës.

E njoftova Kancelarin për punën e Qeverisë sonë në luftën kundër krimit dhe të korrupsionit, si dhe për ndikimet pozitive që reformat kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë në performancën e ekonomisë sonë.

Është evidente se stabiliteti institucional e politik dhe besueshmëria e lartë e qytetarëve në njërën anë, si dhe qeverisja e mirë e demokratike në anën tjetër, kanë prodhuar jo vetëm rezultate të mira me indikatorë pozitivë, po edhe një klimë të favorshme për investime. Në vitin 2021 kemi rritje prej 17,8% të investimeve të huaja direkte nga Austria, krahasuar me vitin 2019. Ndërsa që nga shpallja e pavarësisë, investimet e huaja direkte nga Austria kapin vlerën prej 287 milionë euro. Prandaj, shpreha gatishmëri për të bashkëpunuar në sektorët me interes, si dhe për sipërmarrje të përbashkëta të mërgatës kosovare dhe investitorëve austriakë.

Në këtë pranverë, mes 20-22 prill 2022 është planifikuar forumi i biznesit kosovaro-austriak në Prishtinë. Kosova ka potencial të madh në teknologji të informacionit, në sektorin e bujqësisë, industrisë së përpunimit të drurit, në mjedis, energji dhe turizëm. Forumi do të mundësojë kontakte me politikanë të rangut të lartë nga të dyja vendet, si dhe bisedime ndërmjet përfaqësuesve të kompanive nga këto fusha.

Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme për reformat në sektorë të ndryshëm, sidomos në zhvillimin e arsimit të lartë dhe të shkencës, ku qeveria e Austrisë e ka mbështetur Kosovën me projekte të ndryshme. Ne këtë bashkëpunim të mirë do ta avancojmë përmes zbatimit të sistemit dual të arsimit në Kosovë, i cili aplikohet në Austri. Pra, sistemi që e lidhë tregun e punës me arsimimin dhe aftësimin profesional.

Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e Bashkimit Evropian dhe këtë e kërkoj nga kancelari, meqë Austria si anëtare me ndikim brenda Bashkimit Evropian mund të na ndihmojë. Fondet e BE-së duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e Bashkimit Evropian, që janë të domosdoshme në mënyrë që të ketë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

Mirë se erdhët kancelar dhe tash po ua kaloj fjalën juve.

Të ngjashme