Kurti i Mustafa komunikojnë nga distanca, nisin fajësimet kush po vonon Qeverinë

Prishtinë | 29 Dhj 2019 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Albin Kurti përsëriti sot se Partia e Isa Mustafës e ka në dorë datën e krijimit të Qeverisë. Tha se LDK e cakton datën se kur do të themelohen institucionet e reja. Pas kësaj, Isa Mustafa tha se datën e cakton fituesi e partia e dytë. A është kjo beteja e re për marrëveshje apo për fajësime të reja?

Sidomos Albin Kurti dhe Isa Mustafa, por edhe secili zyrtar i rëndësishëm e i parëndësishëm në Vetëvendosje e LDK, sa herë u ka ardhur rasti, kanë thënë se “Koalicioni i Shpresës” do të ndërtohet posa të certifikohet rezultati zgjedhor.

Albin Kurti kishte përmendur se më së largu 100 orë pas certifikimit do të ndodhte marrëveshja me LDK’në.

Kanë kaluar gati tre muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet e më shumë se një muaj, saktësisht 32 dite, prej kur kanë përfunduar të gjitha procedurat zgjedhore dhe dy partitë po dështojnë të merren vesh qysh ta ndajnë hisen e pozitave në pushtetin e ardhshëm katërvjeçar.

Ndërkohë, sot, Albin Kurti përsëri e vendosi barrën mbi Isa Mustafën dhe LDK’në për vonesat në formimin e Qeverisë. Tha se partia e dytë e cakton datën se kur themelohet Ekzekutivi i ri.

“Pra, Presidenti i Republikës përcakton datën e konsitutimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë. Formimin e Qeverisë e përcakton tjertërkush. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës jo Presidenti i Republikës”, ka thënë Kurti pas takimit të Këshillit të Përgjithshëm të VV’së.

Albin Kurti ka konfirmuar se këtë vit nuk do të ketë Qeveri të re. Ka thënë se në janar do të ndodhë pajtimi me LDK’në për të ndarë pozitat shtetërore.

Lideri i VV’së ka thënë se Partia e Isa Mustafës refuzoi pozitën e Kryetarit të Kuvendit të cilën e mori Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca.

“Në janar kemi përpara arritjen e marrëveshjes me LDK-në”, ka thënë Kurti, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.

Në anën tjetër, Isa Mustafa iu përgjigj menjëherë Kurtit duke thënë se VV e ka barrën për të formuar e caktuar datën e formimit të Qeverisë e jo LDK’ja.

“LDK nuk cakton data. Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhe, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë. Por, LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”, ka shkruar Mustafa në një reagim në FB.

“Është obligim i fituesit të zgjedhjeve që të shmang vonesat dhe t’i eliminojë pengesat për formimin e institucioneve. Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit”, ka shtuar ai.

Kjo nuk është hera e parë që pas zgjedhjeve VV e LDK kanë fajësuar njëra-tjetrën për vonesat në krijimin e Qeverisë.

Madje, deputetë të VV’së vazhdimisht kanë kërcënuar me zgjedhje të reja nëse LDK s’iu bindet të hyjë në Qeveri dhe të marrë pozitat që ia cakton Vetëvendosje.

Edhe para disa ditës, Kurti kishte lëshuar akuza në drejtim të ish-Kryeministrave, duke thënë se të gjithë para tij kishin vjedhur

Madje, provokimi i Kurtit ishte bërë nga Tirana kur deklaroi se Kryeministrat e mëhershëm kanë vjedhur derisa lideri i LDK’së kërkoi të mos bëhen provokime të tilla pasi minojnë çfarëdo bashkëpunimi ndërpartiak.

Deri më tash, Vetëvendosje përpos pozitës së Kryeministrit pritet të marrë edhe pesë ministri aq ministri sa pritet të këtë edhe LDK’ja dhe eventualisht të Presidentit.

Partia e Albin Kurtit në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur t’i marrë 29 deputetë, LDK një më pak: 28. Iu duhen edhe disa vota të pakicave për të ndërtuar Qeverinë e re.

Lideri i VV’së ka thënë se ka siguruar votat e pakicave joserbe, të cilat do ta votojnë Qeverinë pa asnjë kushtëzim.

Vetëvendosje për herë të parë pritet të jetë në Qeveri derisa ka dhënë premtime se do të përmirësojë arsimin, shëndetësinë, diplomacinë e ekonominë.

Të ngjashme