Kurti i shkruan Bërnabiqit dhe liderëve botërorë për manastiret

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka dërguar letër kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq.

Ajo është në mesin e 52 presidentëve dhe kryeministrave të po kaq vendeve që shefi i qeverisë nga Prishtina ua përcolli një letër që flet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Letra – që zyrtarisht ende nuk është bërë publike – e datës 20 maj dhe e cila së pari u publikua nga media në gjuhën serbe “Kosovo Online” është dërguar në adresat kryesore politike gjithë andej botës.

Prej presidentit të Amerikës Joe Biden te kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, kryeministri i Rusisë Mikhail Misushtin e deri të sekretari i Selisë së Shenjtë në Vatikan.

Kurti u thotë liderëve botërorë se ka tentime që Kosova të paraqitet si rrezikuese e trashëgimisë kulturore, në veçanti kishat e manastiret ortodokse.

Kjo, sipas tij, nuk qëndron dhe po tentohet që trashëgimia kulturore të shfrytëzohet për përfitime specifike politike.

“Kosova është vend i sigurt. Shënimet nga raportet e institucioneve lokale e ndërkombëtare tregojnë se Kosova është njëri nga vendet më të sigurta e më paqësore në Evropë. Qytetarët e Kosovës respektojnë diversitetin kulturor për shkak se kjo është njëra nga vlerat më të shquara të shoqërisë kosovare”, thuhet mes tjerash në letër.

Kurti nuk harron t’iu tregojë liderëve global për telashet që po i krijohen vendit ku ai është kryeqeveritar nga një raport i Organizatës “Evropa Nostra”.

Ajo përfshiu Manastirin e Deçanit në mesin e shtatë objekteve më të rrezikuara.

Sikur kjo faltore ashtu dhe të tjera kisha ortodokse shkruan Kurti se janë në gjendje të mirë e gëzojnë mbrojtje të plotë kushtetuese e ligjore dhe se ato do të mbrohen nga shteti e shoqëria me dashuri e dedikim.

“Ne jemi të përkushtuar për të mbrojtur trashëgiminë tonë kulturore, e cila është universale dhe i përket gjithë njerëzimit. Ajo i përket gjeneratave që ishin, atyre që janë dhe atyre që do të jenë. Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialog të ndershëm e sistematik me gjithë përfaqësuesit e komuniteteve pakicë, specifikisht me ata që janë serb, përfshirë klerin e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë”.

I vetmi pranues i shkresës që është deklaruar deri tani është Ana Bërnabiq. Nga Beogradi , kryeministrja serbe e quajti letrën e Kurtit “maja e hipokrizisë e cinizmit”.

Në Zyrën e Kryeministrit e konfirmuan dërgimin e letrës nëpër kancelaritë botërore.

Mes tjerash aty theksohet se Kurti ftoi liderët global që të mbështesin Kosovën në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe integrimin në platforma ndërkombëtare në dobi të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.

Të ngjashme